Në 15 shkurt është afati i fundit i regjistrimit të partive politike, por që sot mund të thuhet se nga i gjithë koalicioni opozitar do të regjistrohen dy parti; PD dhe LSI, siglat e të gjitha partive të tjera nuk do të përfaqësohen në fletën e votimit. E vetmja rrugë për të përllogaritur sa vota do të marrë në 25 prill një prej aleatëve të Lulzim Bashës është të numërohen votat që do të fitojnë kandidatët e tyre që do të futen në listën e PD.
Kjo formulë nuk bën të ndihen mirë asnjë prej partive të vogla, veçanërisht Agron Dukën i cili nuk ka garuar asnjëherë me siglën e partisë së tij, Agrare Ambientaliste.
“Me këtë Kod Zgjedhor nëse dalim vetëm rrezikojmë të marrim një mandate ose fare, dhe në këtë rast sigla jo vetëm që nuk ekziston por nuk mbijeton më, kurse në rastin konkret ne futemi me siglën tonë brenda koalicionit, kemi një mandate në një zonë të sigurtë dhe ndërkohë kandidatë në 11 qarqe të tjera të vendit”, deklaron Duka!
Kodi krijon vetëm një hapësirë për partitë e vogla, që PD të regjistrohet si koalicion në mënyrë që votat që fitojnë kandidatët e këtyre partive të përllogariten në favor të tyre qoftë edhe për të përfituar para nga buxheti i shtetit. Por nëse PD regjistrohet si parti dhe aleatët figurojnë si kandidatë të saj me një model si në vitin 2017, atëherë sigla e tyre shuhet në këto zgjedhje. Megjithatë vendimi ende s’është marrë.
“Janë disa opsione të hapura dhe ende po diskutohet opsioni më i mirë në funksion të maksimalizimit të të gjithë flukseve të opozitës përsa i përket angazhimit të tyre për të marrë një rezultat maksimal në zgjedhjet e ardhshme”, deklaron sekretari për çështjet Zgjedhore në PD, Ivi Kaso!
Por aleatët këmbëngulin për të garuar si koalicion duke theksuar se kjo duhet vendosur sa më shpejt.
“Nuk mendoj që futja thjesht brenda një liste e zgjidh problemin. Është shumë e rëndësishme që të kuptojmë votuesin tradicional të partive pavarësisht se sa është ai, dhe PR ka pasur një votues tradicional. Dhe kështu që duhet sa më shpejt të merret një vendim në mënyrë që votuesi tradicional i PR të ndihet i përfshirë”, deklaron Mediu!
E ndërsa negociatat në selinë e Partisë Demokratike vazhdojnë; Astrit Patozi dhe Jozefina Topalli e kanë vendosur që të garojnë si koalicion jo thjesht për të bashkuar votat, por edhe për të ruajtur identitetin e forcave që drejtojnë.
“Ne nuk mund ta neglizhojmë që jemi të dënuar të bashkëpunojmë në rast se duam të rrisim forcën dhe valencën tonë në këto zgjedhje sepse përndryshe i bie që secili kundër 3 dinozaurëve do ta ketë më të vështirë për të arritur rezultatet që presim”, deklaron Patozi, drejtues i Bindja Demokratike!
Kodi i ri Zgjedhor ndryshoi modelin e koalicioneve dhe tashmë në fletën e votimit nuk do të figurojnë siglat e të gjitha partive pjesëmarrëse në një aleancë dhe e vetmja mënyrë për të kuptuar peshën e secilës prej këtyre forcave është numri i votave që do të marrin emrat që ato do të kenë në listën e kandidatëve për deputet.