350 mjete si dhe 1000 punonjës të Autoritetit Rrugor Shqiptar në të gjithë vendin janë të angazhuar në terren për të mbajtur të hapura të gjitha akset kombëtare pavarësisht kushteve të motit me reshje bore dhe temperatura të ulëta. Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku dhe drejtori i ARRSH, Ergys Verdho inspektuan në Qafë Thanë, pjesë e rrugës Tiranë-Korçë-Kapshticë masat e marra për pastrimin dhe kriposjen e rrugës. Temperaturat e ulëta dhe reshjet e dëborës në zonat juglindore e verilindore do të vijojnë, ndaj ministrja Balluku u bëri thirrje drejtuesve të automjeteve të respektojnë sinjalistikën dhe rregullat e qarkullimit, të përdorin gomat e dimrit dhe duhet të kenë edhe zinxhirët.
“Është bërë kriposja e të gjitha akseve rrugore, por ka disa pjesë të akseve, ku nuk bie dielli ndaj dhe ngricat janë prezente dhe duhet kujdes nga ana e drejtuesve të mjeteve. Kemi marrë të gjitha masat për të patur sigurinë më të plotë rrugore, por duhet edhe bashkëpunim nga ana e drejtuesve të mjeteve “, tha ministrja. Kreu i ARRSH-së, Ergys Verdho tha se rruga e Dardhës, rruga e Steblevës, Peshkopisë, Qafa e Malit-Fierzë, rruga e Thethit paraqesin më tepër vështirësi në qarkullim dhe duhet kujdes nga drejtuesit e mjeteve.
Balluku informoi se për mbajtjen hapur të akseve rrugore në zona malore, si rruga e Thethit ku trashësia e borës shkon në 2 metra, po punohet me forcat e ushtrisë. Bashkitë, tha Balluku, nuk kanë kapacitete për të mbajtur hapur akset malore ku ka trashësi bore të madhe, ndaj dhe këto bashki do të ndihmohen nga ARRSH dhe ushtria për të mbajtur hapur rrugët.