Vendimi për t’ju bashkuar Partisë Socialiste i ish-ministrit të Drejtësisë, Nasip Naço, figura qendrore e Lëvizjes Socialiste për Integrim në Berat, nuk është goditja e parë që merr partia me karakter familjar e Ilir Metës dhe Monika Kryemadhi. Në nëntor të vitit 2019, deputeti i LSI-së, Lefter Koka, një person me peshë të madhe politike në qarkun e Durrësit, vendosi të braktiste LSI-në, duke u afruar me Partinë Socialiste. Para zhvendosjes në krah të PS-së, Koka u shpreh se “Sigurisht kam një histori me PS, kam përfaqësuar atë që më 2000 në Këshillin Bashkiak. Lidhjet e mia familjare, shoqërore e sentimentale kanë qenë me këtë forcë politike”.
Koka refuzoi zbatimin e skenarit politik për dorëzimin e mandatit të deputetit në mars-pill 2009, ndërsa tha se LSI ishte marrë peng nga Sali Berisha. Në prill të vitit 2018, LSI-në e braktisi një tjetër deputet me peshë në Fier. Bëhet fjalë për deputetin Robert Bitrin, i cili u largua nga LSI. Për largimin e Bitrit, kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi u shpreh se “Jo tek ne nuk ka depozituar dorëheqje. I urojmë punë të mbarë Bitrit nëse është regjistruar në grupin e deputetëve të pavarur. Do të jetë ai që do të përballet me votuesit e LSI në Fier, nuk do të përballemi ne….Kjo do të thotë se edhe Ruçi edhe Bitri kanë frikë nga LSI kështu që nuk ka ndonjë problem”.
Ndërkaq, me Partinë Socialiste ka kaluar edhe një nga figurat kryesore të LSI. Bëhet fjalë për Spartak Brahon, një nga njerëzit më të besuar të Ilir Metës, në vitet 2011-2013. Braho i është bashkuar Partisë Socialiste prej dy mandatesh. Fillimisht, Braho ishte në rolin e ndërmjetësit për mbarëvajtjen e koalicionit. Por, pasi drejtimin partisë e mori Monika Kryemadhi, Braho është distancuar totalisht nga LSI. Nga LSI është distancuar edhe Agron Çela, ish-deputet i kësaj force politike qarkun e Shkodrës. Në një kohë kur Monika Kryemadhi mbante një fjalim para ish-deputetëve të kësaj partie, duke u shprehur se do të bënin një opozitë të fortë, Çela takohej me kryeministrin Edi Rama në Velipojë. Të gjitha këto largime të rëndësishme janë shënuar pasi Meta i dorëzoi partinë Kryemadhit, pas zgjedhjes si President.
Largimi i deputetëve është vjetëm një pjesë e ‘eksodit; në LSI. Në vitin 2018 deri në vitin 2019, LSI u përfshi nga një fenomen masiv dhe i gjithanshëm rrjedhjesh. Qindra anëtarë dhe përfaqësues vendorë braktisën Lëvizjen Socialiste për Integrim, duke u bashkuar me Partinë Socialiste. Rrjedhjet në LSI nisën pas afrimit të Lëvizjes Socialiste për Integrim me Partinë Demokratike.
Ikjet masive nga LSI janë reflektuar edhe në sondazhe. Disa sondazhe të publikuara nga Report Tv, nën kujdesin e Roberto Baldassarit, në prill 2020, LSI rezultonte me një rënie në 2 %. Ndërkaq, sipas një sondazhi të zhvilluar fund muaj shator Eduard Zaloshnja, për revistën Folloë Business Albania me 2200 të anketuar, LSI-në do ta votonin vetëm 3 %. Disa sondazhe të tjera ndërkombëtare, publikuar ditët e fundit, flasin për një rrudhje ekstreme të LSI-së.