Kreu i Urgjencës Kombëtare, mjeku Skënder Brataj, është shprehur për “Fax News” se pas datës 20 janar, ashtu siç ka bërë me dije kryeministri Rama, do të vijë edhe pjesa tjetër e vaksinave anti-Covid. Mjeku u shpreh se deri më tani personat që kanë marrë dozën e parë të vaksinave nuk kanë pasur efekte anësore apo komplikacione.
“Për fatin e mirë, nuk kemi parë asnjë efekt anësor. Procesi vazhdon të jetë i rregullt, por një vaksinë e kontrolluar nga FDA dhe EMA sigurisht që i ka të gjitha garancitë, të gjitha rregullat. E vetmja gjë ka qenë koha, por vaksina zakonisht efektet anësore i jep në momentet e para dhe për këtë arsye qëndrojnë rreth 30 minuta nën asistencën e ekipeve mjekësore. Gjithsesi njerëzit duhet të kenë të qartë që nuk është virus i plotë, por pjesë e proteinave të virusit, pra nuk shkakton sëmundje, por prodhim të antitrupave”, tha ai. Gjithashtu, Brataj iu përgjigj pyetjes nëse ata që e kanë kaluar Covid-19, duhet apo jo të vaksinohen.
“Për personat që kanë kaluar Covidin, kuptohet që imuniteti natyral është më i sigurt se i vaksinës nuk diskutohet, por nuk ka të dhëna sa zgjat imuniteti. Por edhe ata që e kanë kaluar si puna ime që në mars është e këshillueshme që ta bëjnë. Unë s’e kam bërë sepse pres që të vijë radha e institucionit tim.” Në intervistën e tij s’mund të qëndronte jashtë vëmendjes skandali i senitares Tire Alldrevishaj, në spitalin “Shefqet Ndroqi”, për të cilën tha:
“Edhe midis nesh ka përfitues, që nga recetat e ilaçeve për të sëmurët që kanë ditën e dytë apo të tretë të temperaturës, i japin antibiotikë. Për fatin e keq, ka njerëz që përfitojnë. Fenomenet e spitalit për fatin e keq ekzistojnë dhe njerëzit janë bashkëpunëtorë në atë që ndodh dhe i shtyjmë njerëzit që të fitojnë bakshishin, por nuk është e denjë për shëndetësinë. Shpresoj të mos jetë një fenomen i përhapur. Ne e kemi të vështirë ti identifikojmë se është e padrejtë, por janë veprime të shëmtuara që nuk duhet të përsëriten për asnjë motiv për shëndetin e njerëzve në kohë pandemie.”