Instituti Shqiptar i SME-ve po implementon projektin “Angazhimi i SME-ve në proçesin e monitorimit dhe rritjes së transparencës së bashkive në implementimin e politikave të qeverisjes vendorë për zhvillimin ekonomik vendor”, në Bashkitë Kukës, Fier, dhe Gjirokastër me mbështetjen e Leviz Albania (një projekt që financohet nga Zyra Zviceriane për Zhvillim dhe Bashkëpunim dhe zbatohet nga konsorciumi i tre organizatave shqiptare si “Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë”, “Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim” dhe “Co-Plan”).
Ky aksion ka qenë i fokusuar në fuqizimin e biznesit të vogël dhe të mesëm nëpërmjet rritjes të transparencës për implementimin e kompetencave të ligjit për vetqeverisjen vendore në bazë të Neni 28, Ligji 139/2015 për vetqeverisjen vendore. Ligji organik në mënyrë eksplicite thotë se bashkitë kanë të drejtën dhe përgjegjësinë për realizimin e aktiviteteve ekonomike. Po ashtu, Ligji thekson se funksionet ekskluzive të bashkive në zhvillimin ekonomik vendor janë: hartimi i programeve për zhvillimin ekonomik vendor, mbështetja për zhvillimin e biznesit të vogël, sigurimi i grantit financiar për të mbështetur aktivitetet e biznesit të vogël dhe të mesëm dhe ofrimin e shërbimeve në mbështetje të zhvillimit ekonomik vendor.
Ligji i ri Organik për Vet Qeverisjen Vendore ka sjellë disa përgjegjësi për njësitë e qeverisjes vendore, të cilat janë shumë të reja për zyrtarët vendorë dhe u duhet kohë për të kuptuar dhe zbatuar funksionet e reja. Si i tillë, edhe zhvillimi ekonomik vendor është një koncept tjetër shumë i ri për zyrtarët lokalë, i cili kërkon kohë dhe burime për të pasur një performancë të mirë. Për më tepër, angazhimi me sektorin privat është një tjetër koncept i ri për zyrtarët lokalë kur merren me zhvillimin ekonomik vendor. Për të luajtur një rol më të madh në zhvillimin ekonomik vendor, Bashktë duhet të forcojnë bashkëpunimin me sektorin privat dhe organizatat joqeveritare (OJQ). Zhvillimi ekonomik vendor është përpjekje bashkëpunuese mes shumë aktorëve të interesuara që bëjnë bashkë burime të ndryshme.
Integrimi i këtyre interesave të ndryshme në një strategji kohezive është një sfidë që kërkon udhëheqje dhe një kuadër të fortë institucional. Hapi i parë kryesor në këtë drejtim është të kuptojmë aftësitë aktuale të bashkisë për promovimin e zhvillimit ekonomik vendor. Zhvillimi Ekonomik Vendor dhe krijimi i suksesshëm i një mjedisi miqësor për bizneset kërkojnë ngritjen e kapaciteteve të qeverisjes vendore për planifikimin strategjik dhe zbatimin e aktiviteteve të zhvillimit ekonomik vendor. Bashkitë do të duhet të shoqërojnë përgjegjësitë e tyre të reja për zhvillimin ekonomik vendor me rritjen e aftësive, kapaciteteve dhe financimeve.
Në vazhdimësi të të gjithë fazave që ky projekt përfshinte dhe gjetjeve nga analiza e anketimit bashk me monitorimet që Instituti Shqiptar i SME-ve ndërmori, u zhvilluan rekomandimet si më poshtë: 1.Rekomandohet që bashkitë të krijojnë një Drejtori për Zhvillimin Ekonomik me detyrë rekomandimin dhe zbatimin e një strategjie gjithëpërfshirëse të zhvillimit ekonomik. Përgjegjësitë e kësaj drejtorie duhet të jenë: të punojnë në emër të Bashkisë për të nxitur investimet dhe për të tërhequr, ruajtur dhe inkurajuar zhvillimin e ndërmarrjeve ekzistuese dhe atyre të reja ekonomike; të zhvillojë, koordinojë, zbatojë dhe administrojë strategjitë dhe projektet e zhvillimit ekonomik për bashkinë; t’i rekomandojë Kryetarit të Bashkisë dhe Këshillit Bashkiak dhe të kërkojë në emër të bashkisë fonde/grantesh për bashkinë; të administrojë Fondet e Zhvillimit të Rajoneve dhe të menaxhojë programe të tilla grantesh në përputhje me ligjet dhe rregulloret e saj; të koordinojë dhe të mundësojë pjesëmarrjen në zhvillimin ekonomik vendor të qytetarëve, organizatave të komunitetit, aktorëve nga sektori privat, komisioni këshillimor qytetar dhe këshilli konsultativ për zhvillimin ekonomik vendor. Drejtori i Drejtorisë duhet të emërohet nga Kryetari i Bashkisë në bazë të aftësive profesionale dhe të jetë përgjegjës për menaxhimin, drejtimin dhe kontrollin e Drejtorisë të Zhvillimit Ekonomik sipas rregulloreve dhe vendimeve të bashkisë.
2. Të krijohet Këshilli Konsultativ për Zhvillim Ekonomik i cdo bashkie, i cili do të mbështesë vazhdimisht bashkinë. Rekomandohet që një person i stafit të bashkisë të caktohet për të mbështetur dhe koordinuar aktivitetet e këtij këshilli. Ky i fundit duhet të ketë një përfshirje prej të paktën 7 përfaqësues nga sektori privat. Kryetari i Bashkisë duhet të thërrasë mbledhjet e këtij këshilli të paktën një herë në tre muaj duke vënë në dispozicion edhe rendin e ditës para se të nisin mbledhjet. Procesverbalet e mbledhjeve të këshillit duhet të regjistrohen dhe të vihen në dispozicion të publikut me anë të internetit. Këshilli konsultativ duhet qtë ketë edhe një kod etike, i cili miratohet në mbledhjen e parë të tij. Anëtarëve të Këshillit duhet t’u kërkohet që veprojnë në përputhje me Kodin e Etikës.
3.Rekomandohet që të bëhet një proces konsultativ, ku të përfshihet edhe Këshilli Konsultativ për Zhvillimin Ekonomik, për të identifikuar dhe vendosur prioritetet për projektet e zhvillimit ekonomik vendor. Këto projekte, jo thjesht projekte
infrastrukturore publike, duhet të jenë projekte që nxisin investimet, angazhojnë sektorin privat dhe krijojnë vende të reja pune. Në rast të mungesës së Strategjisë së Zhvillimit Ekonomik, Strategjia Vendore e Zhvillimit të Territorit të PPV-së mund të ofrojë inventarin më të mirë të projekteve potenciale të zhvillimit ekonomik vendor. Duhet të identifikohen burimet potenciale të financimit për secilin projekt prioritar. Duhet të përgatitet një dokument konceptual për të paktën tre projekte prioritare. Duhen ndërmerren hapa për t’i bërë këto projekte “gati për punë”. Duhet të merret parasysh fillimi i procesit të PDV-së për projektet prioritare.
4.Rekomandohen hapa për të forcuar lidhjet mes Planifikimit dhe Zhvillimit. Planet e detajuara vendore janë të domosdoshme me ligj për njësitë strukturore të përcaktuara në Planin e Përgjithshëm Vendor të Territorit për rritjen e popullsisë ose ndryshime të mëdha në përdorimin e tokës. PDV duhet të përgatitet dhe miratohet para fillimit të çdo procedure lejeje zhvillimi/ndërtimi nga ana e bashkisë. PDV siguron një platformë për negociatat e zhvillimit të tokës mes palëve të interesuara (Bashkia, zhvilluesit, pronarët e tokave, qytetarët) dhe për promovimin e mundësive të zhvillimit ekonomik që do të lindin përmes zbatimit të PDV-së.
5.Realizimi i mundësive të zhvillimit ekonomik kërkon që mundësia të përputhet me financimin (si publik ashtu edhe privat). Ekzistojnë një sërë burimesh financimi për të mbështetur Bashkinë në financimin e projekteve të iniciuara në nivel vendor. Rekomandohet që bashkia të përgatisë një plan për trajnime dhe ngritje kapacitetesh për të përmirësuar kapacitetin e stafit të bashkisë në hartimin e propozimeve konkurruese dhe për zbatimin dhe menaxhimin më të mirë të projekteve të financuara (cikli i menaxhimit të projektit). Krijimi i një Drejtorie të Zhvillimit Ekonomik, siç u rekomandua më sipër, do të rriste kapacitetin dhe aftësinë e Bashkisë për të siguruar fonde dhe për të zbatuar në mënyrë efektive projektet dhe aktivitetet e zhvillimit ekonomik.
6.Ndër asetet më të mëdha të bashkisë për zhvillimin ekonomik vendor janë toka dhe ndërtesat publike. Rekomandohet që të përgatitet dhe zbatohet një Plan Veprimi për Menaxhimin e Aseteve të Bashkisë. Duhet të përfundojë procesi i transferimit të pasurive nga qeveria qendrore tek bashkia (në rast se nuk ka përfunduar). Pasuritë e ish-komunave (njësive administrative) duhet të inventarizohen dhe të regjistrohen. Dosjet dhe materialet në letër të inventarit të aseteve duhet të kompjuterizohen. Duhet të identifikohen pronat e papërdorura ose me përdorim të pakët që mund të vihen në dispozicion për zhvillimin ekonomik vendor dhe mundësitë për zhvillimin e përbashkët të sektorit privat/publik të evidentohen dhe të ndahen me aktorët privatë në mënyrë transparente.
7.Rekomandohet që bashkia të hartojë një “Udhëzues i të Bërit Biznes në Bashkinë respektive”. Udhëzuesi do të shërbente si burim për hapjen dhe rritjen e një biznesi në qytet. Në këtë udhëzues duhet të identifikohen burimet në dispozicion të bizneseve të vogla dhe të mesme; të evidentohen bazat e zhvillimit të një Plani Biznesi; të sigurohen informacione për krijimin e strukturës ligjore dhe regjistrimin e një biznesi; të bëhen të ditura kërkesat për lejet, sigurimet dhe taksat; të përfshihen informacione për financimin tradicional dhe “huadhënësit alternativë”; si dhe të ofrohen burimet për punësimin dhe rekrutimin e punonjësve. Përveç dhënies së këtij Udhëzuesi në format libri të shtypur, bashkia mund ta publikojë këtë informacion edhe në portalin e saj dhe në internet. Një sërë nismash të tjera do të ndërmerren për vënien në jetë të tyre.