Nga Mero Baze
Ajo që ndodhi dje në Veri të Kosovës, ku një bandë serbësh të zemëruar nga shëtitja e Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit për show elektoral, duhet të shërbejë për një debat serioz mes shqiptarëve në Kosovë, se si duhet ta zgjidhin çështjen me serbët në Kosovë. Duke i tejkaluar emocionet elektorale të këtyre ditëve, që në fakt i shkaktoi vetë dyshja Kurti-Osmani, Albin Kurti duhet t’ia kishte kursyer Kosovës, poshtërimin e institucionit të Presidentit, duke e marrë atë si ‘kukull’ nga pas, në një shëtitje pa objektiv, pa siguri dhe pa fuqinë e duhur për t’i dalë zot. Akoma nuk e dimë pse Albini po demonstronte me Vjosën pas vetes në Veri të Kosovës, a kishte ndonjë tubim elektoral apo ndonjë ngjarje që duhej të merrte pas Presidenten e vendit dhe pastaj ta zbonin ca banditë.
Ky është krimi i vetëm i Albinit dje në Veri. Të tjerat janë një histori 20 vjeçare. Po pikërisht ky krimi i djeshëm i Albinit duhet të shërbejë që ai të reflektojë thellë, se problemi i Veriut të Kosovës dhe problemi i Marrëveshjes Serbi- Kosovë, janë një dhe i pandarë dhe për të duhet një qëndrim i bashkuar i klasës politike në Kosovë. Këto 20 vjet Albin Kurti ka akuzuar gjithë paraardhësit e vet se nuk e kanë zgjidhur problemin e Veriut, se janë të “shitur tek serbët” dhe dokrra të tjera. Ideja ishte që kur të vinte ai në pushtet e zgjidhte këtë punë.
Ende pa ardhë në pushtet u pa që nuk e zgjidh dot, madje e vunë para si ‘lopët’ një bandë huliganësh. Albin Kurti duhet ta ndajë mendjen, që për të zgjidhur problemin e Veriut, duhet të ulet njëherë me gjithë shqiptarët e rëndësishëm në politikë, e të bien dakord që ato duhet ta zgjidhin me standardet e Perëndimit dhe jo me mendësitë e Milosheviçit, përmes karshillëkut etnik.
Milosheviçi donte ta injoronte Kosovën si pakicë që e zhbëri me dhunë nga pushteti dhe në fund i hëngri kokën, dhe Kosova fitoi shumë më tepër nga sa i kërkonte më 1989 Milosheviçit. Nuk është mirë t’ua bëjë kismet serbëve të Kosovës këtë gjë tani me kapardisjet e tij si ndaj shqiptarëve kundërshtarë dhe ndaj serbëve. Kur faktori shqiptar i bashkuar të bjerë dakord që do mbajë linjën dhe standardet e Perëndimit për të zgjidhur atë problem, Kurti dhe falangat e tij, duhet të heqin dorë nga retorika nacionaliste e “armiqve e tradhëtarve” shqiptarë, dhe duhet të guxojë të përballet në dialogun me Serbinë, që e ushqen atë vatër helmi për Kosovën.
Albin Kurti është shumë kontradiktor në këtë pikë. Dje ai tha se “nuk jam gati për dialog me Serbinë dhe se do rishikoj 33 marrveshje që janë arritur”, e nga ana tjetër thotë se “do kërkojmë të na lejohet e drejta e referendumit në Kushtetutën e Kosovës”. Si mund t’i kërkosh Serbisë të të lejojë ty të bashkohesh me Shqipërinë me referendum, kur ajo praktikisht është sovrane në një pjesë të territorit tënd. I gjithë konfuzioni i Albin Kurtit vjen pikërisht sepse ai po përballet me gënjeshtrat e veta 20 vjeçare dhe nuk ka asnjë plan veç shtyrjes së planit.
Çdo president i Kosovës ka shkuar në Veri dhe s’ka pasur incidente, pasi shkonin me një profil zyrtar, me një qëllim të caktuar dhe jo për shëtitje elektorale. Por nga ana tjetër të gjithë kanë qenë të angazhuar në një proces Perëndimor të zgjidhjes së çështjes së pakicave serbe. Këto kërcënimet primtive që “tani që vjen Albini, do spastrohet adminitrata filoserbe e Prishtinës dhe rregullohet dhe ajo e Zubin Patokut”, është qasje milosheviçiane. Por për fat atë se lë njeri ta bëjë se ashtu do t’i vinte zjarrin Kosovës.
E rrezikshme është që Albin Kurti nuk ka asnjë plan për Kosovën në raport me serbët që jetojnë aty dhe që të gjithë e dimë, që janë “qengja që pinë dy nëna”, por njërën duan ta vrasin.
Pa u bërë i besueshëm në dialogun me Serbinë, me mbështetje të plotë të SHBA e BE, pa hequr dorë nga kapardisjet provinciale si njeri që ka globin në dorë meqë po fiton pushtetin, dhe mbi të gjitha pa e ndarë mendjen që serbët në Kosovë nuk i mund dot si shqiptarë, por vetëm siç i mundi Ibrahim Rugova e UÇK në aleancë me Perëndimin, Albin Kurti nuk do të ketë kurrë një zgjidhje për paqen në Kosovë dhe të ardhmen e saj. Shpresoj mos ta ketë të qëllimshme.