Ekspertët e sigurisë shpesh thonë se siguria absolute nuk ekziston kur bëhet fjalë për teknologjinë. Sigurisht, gjithmonë ekziston mundësia që dikush t’ju hakojë, të depërtojë në kompjuterin tuaj ose në celularin tuaj, të vjedhë të dhënat tuaja dhe të ngjashme. Sidoqoftë, disa pajisje janë më të sigurta se të tjerat, dhe kjo është saktësisht ajo që mund të thuhet për telefonat Apple kur krahasohen me ato që mundësohen nga Android. Sidoqoftë, kjo ende nuk do të thotë se është e pamundur t’i “depërtosh” ato. Një lajm i ri i keq për pronarët e pajisjeve mobile me “mollën” vjen nga Apple. Ata informuan përdoruesit e tyre se azhurnimi i ri (iOS 14.4) vjen me rregullime sigurie për tre dobësitë e sigurisë që “mund të shfrytëzohen tashmë në mënyrë aktive”.
Për pyetjet e shumta nga mediat e huaja, nuk u mor asnjë përgjigje konkrete se cilat janë këto lëshime dhe si mund të përdoren, dhe nuk dihet se sa nga përdoruesit e tyre janë të rrezikuar. Dihet vetëm se si Apple u paralajmërua për dobësitë e sigurisë nga një studiues anonim, i cili pritet të marrë një shpërblim.
Të metat u gjetën në WebKit, i cili është një motor shfletuesi i përdorur nga Safari, si dhe në Kernel, një nga pjesët themelore të sistemit operativ. Pra, ndërsa ka shumë të panjohura për dobësitë dhe sulmet, një gjë është e qartë – nëse përdorni iPhone dhe iPad, rekomandohet që ta azhurnoni softuerin në versionin më të fundit të iOS 14.4 sa më shpejt të jetë e mundur.