Kreu i grupit Parlamentar Taulant Balla deklaroi se qeveria ka bërë investimet në kohën e duhur duke sjellë edhe mirë-menaxhimin e pandemisë si edhe tërmetit. Balla shtoi se Partia Socialiste është gjendur pranë çdo familje në vështirësi duke shtuar se pavarësisht vitit të vështirë që u la pas, ekonomia po rimëkëmbet.

Gjithashtu nuk mbeti pa kritikuar kreun e opozitës Lulzim Basha, për të cilin u shpreh se nuk di të punojë.

“Besoj që histori të vjetra të opozitës me bojkote parlamentare kanë marrë fund”, u shpreh ai. I ndalur tek përmbytjet, Balla tha se investimi në kohë tregon se është investuar aty ku duhet.

Së fundmi theksoi se edhe në Amerikë u pa se vota me postë funksioni më së miri, duke shuar se kjo është diçka pozitive edhe për Shqipërinë.

“Është detyrim i KQZ të zbatojë Kushtetutën dhe Kodin Zgjedhor për dhënien e mundësisë shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit të votojnë. Vota me postë edhe në SHBA funksionoi më së miri. Edhe në Kosovë në 14 shkurt do të funksionojë më së miri. Nuk gjej arsyeje pse demokratët e paepur, bashkë me patericën LSI, nuk pranoni që vota e shqiptarëve jashtë vendit të mundësohet, është një pikë turpi që e kundërshtoni, por i bën nder zgjedhjeve në Shqipëri”, tha ai.