Prodhuesi britanik i vaksinave kundër koronavirusit, AstraZeneca, refuzoi të marrë pjesë në një takim me zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian, të planifikuar për të mërkurën.
“Mund të konfirmoj se për sonte kishim të planifikuar një komitet drejtues mbi strategjinë e vaksinimit dhe përfaqësuesit e AstraZenecas na informuan se nuk do të marrin pjesë”, tha për gazetarët zëdhënësja e Komisionit Evropian, Dana Spinat.
Kjo ndodh në kohën e përshkallëzimit të mosmarrëveshjeve midis dy palëve për shkak të mungesave të prodhimit të vaksinave nga kjo kompani.Komisioni Europian, në emër të shteteve anëtare të BE-së, ka nënshkruar marrëveshje me AstraZenecan për 400 milionë vaksina .Javën e kaluar, kjo kompani e ka njoftuar BE-në se do t’i sigurojë një numër dukshëm më të vogël të vaksinave.
Dyshimet se kompania po dërgon doza të vaksinës në vende të tjera, me një çmim shumë më të lartë, kanë bërë që Komisioni Evropian të vendosë për krijimin e një mekanizmi, që e ndalon eksportin e vaksinave kundër koronavirusit pa njoftim paraprak. Vaksinat e AstraZenecas duhet të marrin miratimin nga Agjencia Evropiane e Barnave këtë javë. Kjo do të duhej të ishte vaksina e tretë që ka autorizim për përdorim në territorin e BE-së, pas vaksinave Pfizer/BionTech dhe Moderna.