Aurela Hoxha është në pritje të fëmijës së saj të parë. Modelja e njohur, e cila prej vitesh është zhvendosur për të jetuar në Spanjë me partnerin e saj, mësohet se është 5 muajshe shtatzënë, një lajm i publikuar nga “Kryefjala.com”. Pak kohë më parë u përfol se ajo ishte ndarë nga i dashuri i saj miliarder nga Miloti, Albani, por duket se tashmë kanë zgjidhur çdo mosmarrëveshje dhe janë të lumtur krah njëri-tjetrit. E vërteta është që Aurela mësoi se ishte shtatzënë pak pasi ishte ndarë nga i dashuri dhe ishte kthyer në Shqipëri në fund të vjeshtës. Për shkak të kësaj situate, Aurela ka bërë çdo përpjekje që të rikthejë të dashurin në jetën e saj. Thashethemet se modelja i kishte dhënë fund lidhjes nisën teksa ajo ishte e ftuar në “Shiko kush luan”, ku iu bënë disa pyetje ngacmuese për të kuptuar më shumë rreth marrëdhënies së saj me Albanin.

“I kam thënë të dua dhe e kam puthur në buzë që në takimin e parë, sa zgjohem i them edhe atij të zgjohet, sepse më merr malli. Është shumë xheloz për çdo person që më afrohet, por ende nuk kemi folur për dasmën!”. Më pas, modelja tha se të gjitha përgjigjet e saj kishin lidhje me qenin e saj. “Unë iu përgjigja të gjitha pyetjeve sepse ju nuk m’u drejtuat me emër, pikët i meritoj sepse nuk kam gënjyer. Ishin të gjitha për Rekun. Kush më njeh, e di që ai është dashuria ime më e madhe!”, tha Aurela.

Kaq u desh dhe komentuesit zbuluan se deklarata e saj kishte nënkuptim brenda dhe që bëhet fjalë për ndarjen e saj nga i dashuri në Spanjë dhe kthimin në Shqipëri. E pas bisedimeve me partnerin miliarder, ata kanë sheshuar çdo mosmarrëveshje, ndërkohë që janë gati të krijojnë familjen e tyre të re. Kohët e fundit, Aurela është zhvendosur për të jetuar në Spanjë me të dashurin që e mbajti mister, edhe pse “Panorama Plus” arriti të siguronte fotot e çiftit, ndërsa pushonin në plazhet e Jugut.