Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, në konferencën e zhvilluar sot garantoi se mazhoranca do të organizojë zgjedhje me standardet më të lartë më 25 prill.

“Ne jemi këtu për të marrë angazhime. Do të doja të nënvizoja rëndësinë e një angazhimi të plotë të partive politike, edhe në respekt të të gjitha masave të vendosura për parandalimin e pandemisë. E theksova këtë sepse vë re një prirje jo të gjithë aktorëve për të qenë kontribuues në një situatë të tillë. PS e rishpreh vullnetin e qartë për të kontribuar për zgjedhje me standarde.

Ajo që është shumë e rëndësishme është transprenca e plotë e financimeve. Dy elementë duhet të jenë domosdoshmërisht pjesë e reformës së ardhshme. Elementi i parë është nevoja e depolitizimit të komisioneve zgjedhore. Është kërkuar para çdo reforme zgjedhore nga partnerët ndërkombëtarë. Besoj se ky do të ishte hapi tjetër. E dyta, që është edhe me e rëndësishme është pikërisht transparente e plotë e financimeve e çdo partie politike dhe e çdo kandidati.

Besoj se jemi në rrugë të mbarë për të garantuar që çdo parti politike të ketë një pasqyrë të qartë të çdo shpenzimi dhe çdo emri që ka financuar. Ne do t’ia dalim të organizojmë zgjedhje shumë pranë standardeve më të larta demokratike. Ne do të vazhdojmë ne intensitet punën për të garantuar votën e shqiptarëve më 25 prill”, tha Balla.