Forumin e Rinisë Socialiste, që përkon me ditëlindjen e 29-të të FRESSH e përshëndeti sot Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.
Si një prej freshistëve, Balla kujtoi disa prej historive ku të rinjtë e afruar në FRESSH kontribuan që e ardhmja të jetë më e mirë.
“Në ‘94 u realizua një referendum për të mos lejuar që Shqipëria të kthehej në sistem autokratik. Në zgjedhjet e 26 majit kam qenë vetë një prej djemve dhe vajzave në atë proces. Investimi i PS ka qenë gjithnjë për të bërë shtet. Nëse e shihni logon, lulëkuqja e parë nuk është më, por 12 yjet që simbolizojnë vendet e BE qëndrojnë aty.
Këto dy vite nuk i kemi festuar siç keni dashur, pasi kanë qenë dy vite të vështira, sot kemi nisur të buzëqeshim pas pandemisë, përpara kemi ditë më të mira, por ju kujtoj që lufta nuk ka mbaruar ende.
Zgjedhjet e 25 prillit janë një moment i rëndësishëm, ne si PS i kemi hapur dyert për djem e vajza, burra e gra, profesionistë të shkëlqyer.
Dëshira dhe vullneti ynë i palëkundër është të votojnë të gjithë shqiptarët jashtë territorit tonë aty ku janë e jetojnë. Ata të shprehin mendimin për drejtimin që duan të ecë Shqipëria. Aleati ynë i vetëm janë njerëzit e zakonshëm, djem e vajza si ju që duan të kontribuojnë për të ardhmen e vendit”,- tha Balla.