Banorët e rrugës “Gjin Gjergji” në Selitë janë ankuar dje lidhur me një konflikt që vijonte prej ditësh me një nga bizneset e zonës. Një pjesë e rrugës ka një kthesë problematike, ku fushëpamja është e kufizuar. Në këtë segment në mënyrë të përsëritur, banorët e zonës dhe veçanërisht fëmijët janë rrezikuar disa herë të aksidentohen. Kësisoj Bashkia e Tiranës vendosi disa ditë më parë që në këtë rrugicë, të ndalohej kategorikisht parkimi. Por tabela e vendosur për ndalimin e parkimit u hoq nga personi që ka biznesin ngjitur me tabelën.
Protestës së banorëve, ‘i forti’ i rrugicës iu përgjigj me “sa të jem unë këtu, nuk vihet tabelë bashkie”. Pas ankesës së një grupi banorësh, media Dita kontaktoi me sektorin e Sinjalistikës. Një ekip i Bashkisë shkoi për të konstatuar ankesën e banorëve në vend dhe kontrolloi kamerat e zonës. Ekipi plotësoi dokumentacionin përkatës pasi konstatoi shkeljen. Drejtoria e Sinjalistikës tha se ndaj shkelësit do bëjë sot padi zyrtare.Por ajo që bëri përshtypje është se tabelën e rivendosi vetë me duart e tij ai që e kishte shkulur.