Përfaqësuesi politikë i PS në qarkun e Shkodrës Ilir Beqaj me anë të një postimi në rrjetin social Facebook ka bërë me dije se është zgjidhur edhe problemi i atyre personave të cilët nuk mund të provonin me dokumenta periudhën e punës së tyre në ish kooperativat bujqësore dhe sorollateshin nëper procese gjyqsore. Beqaj shkruan se në një takim në Malësinë e Madhe në shtator 2020 me kolegun Paulin Sterkaj u angazhuam në atë takim se do të ndërmerrnim një nismë ligjore për të vlerësuar automatikisht periudhë sigurimi për efekt pensioni pleqërie dhe kjo gjë u arrit dhe është botuar tani në fletoren zyrtare.
Në një takim në Malësinë e Madhe në shtator 2020, midis të tjerash, na u ngrit si shqetësim sorollatja nëpër gjykata e personave të cilët nuk mund të provonin me dokumenta periudhën e punës së tyre në ish kooperativat bujqësore. Për një proces gjyqësor shpenzonin rreth 400 mijë lek. Bashkë me kolegun Paulin Sterkaj u angazhuam në atë takim se do të ndërmerrnim një nismë ligjore për të vlerësuar automatikisht periudhë sigurimi për efekt pensioni pleqërie çdo pretendim të çdo kujt që ka punuar në ato ish kooperativa bujqësore dokumentacioni i të cilave është djegur apo shkatërruar.
Në 23 dhjetor 2020, projektligji është kthyer në ligj me votën e deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë. Në 5 janar 2021, Presidenti i Republikës, zoti Ilir Meta, ka dekretuar ligjin 169/2020. Në 8 janar 2021, ligji është botuar në Fletoren Zyrtare nr.3. Në 23 janar 2021, ligji është në fuqi. Kështu edhe premtimi që Paulini dhe unë u bëmë banorëve të Malsisë së Madhe bëhet realitet, shkruan Beqaj.