Joe Biden sapo ka bërë betimin e tij në Kapitol Hill. Ai u betua me asistim të Kryetarit të Gjykatës së Lartë John Roberts. Biden bëhet zyrtarisht presidenti i 46-të i Shteteve të Bashkuara.

Presidenti bëri betimin me fjalët: “Betohem solemnisht se do ta përmbush me besnikëri detyrën time si president i Shteteve të Bashkuara dhe se do ta ruaj dhe mbroj më së miri Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara”.

Biden, 78 vjeç, është presidenti më i vjetër amerikan që merr detyrën. Ai i ka fituar zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit, 2020, kundrejt presidentit të deritanishëm, Donald Trump. Kongresi e ka miratuar fitoren e tij më 6 janar.

Para marrjes së detyrës, zoti Biden dha një mesazh uniteti, posaçërisht për nevojën e bashkimit për t’u përballur me sfidat e shkaktuara nga pandemia që u mori jetën 400 mijë vetave në Shtetet e Bashkuara dhe shkaktoi shumë vështirësi ekonomike.

“Duhet të kujtojmë. Ndonjëherë është e dhimbshme të kujtosh, por kështu rimëkëmbemi. Është e rëndësishme ta bëjmë një gjë të tillë si komb,” tha zoti Biden të martën vonë ndërsa bashkë më zonjën Harris udhëhoqi një ngjarje përkujtimore para Memorialit të Linkolnit për ata që kanë vdekur.

Ai më vonë u zotua të “fillojë menjëherë nga puna” pasi të jetë betuar, duke thënë se “nuk kemi asnjë sekondë për të humbur kur bëhet fjalë për të trajtuar krizat me të cilat përballemi si komb”.