Procesi i vaksinimit kundër Covid-19 nuk ka filluar ende në Bosnje-Hercegovinë, ndërkohë që sasia e parë e vaksinave pritet të mbërrijë në fund të janarit, sipas agjencisë boshnjake të lajmeve, FENA. Deputeti i SDP-së Zukan Helez pyeti kryetarin e Këshillit të Ministrave, Zoran Tegeltija (SNSD) në lidhje me prokurimin dhe shpërndarjen e vaksinave për Bosnje-Hercegovinën.
”Porositë për vaksinat do të mbulojnë 20% të popullsisë. Sipas informacionit që kemi, dozat e para të vaksinave do të mbërrijnë në BH në fund të janarit. I gjithë programi i vaksinimit u përcaktua nga Ministria e Shëndetësisë”, deklaroi kryetari i Këshillit të Mnistrave, Zoran Tegeltija. Ai shtoi se BH, paralelisht me mekanizmin COVAX, është bashkuar me mekanizmin e BE për prokurimin e vaksinave, përmes të cilit janë kontraktuar 890 000 doza dhe se çmimi i vaksinës është rreth 10 dollarë.
Tegeltija theksoi se grupet prioritare për vaksinim janë përcaktuar dhe ata janë punonjësit e sistemit shëndetësor, qytetarët mbi moshën 65 vjeç me sëmundje kronike dhe personeli në shtëpitë e të moshuarve.