7.8 miliardë njerëz në botë i dhanë një lamtumirë të përzemërt vitit 2020 pa bujën e zakonshme dhe tubime publike për shkak të pandemisë të koronavirusit.
Pjesa më e madhe e aktiviteteve publike u anulluan në fillimin e vitit 2021 në Rusi. Sidoqoftë, në Kaluga që konsiderohet kryeqyteti i festimeve për Vitin e Ri në Rusi, festimet për turistët u vendosën të vazhdonin edhe pse banorët donin anullimin e aktiviteteve. Qyteti është 150 kilometra në jugperëndim të Moskës.
Turqia përshëndeti Vitin e Ri duke filluar një bllokim katër-ditor dhe Presidenti Rexhep Tajip Erdogan tha se forcat e zbatimit të ligjit do të merrnin masa ndaj festave të paligjshme në hotele.
Nga Brukseli në Berlin, festimet u fashitën nga kufizimet e pandemisë.
Franca vendosi 100’000 oficerë shtesë në rrugët e saj për të zbatuar ndalimin e qarkullimit dhe Greqia tha se do të vepronte po kështu.
“Askush nuk do të jetë në rrugë pas orës 22:00. [Athina] do të jetë një qytet i vdekur, për t’u siguruar që nuk do të vendosen më kufizime”, tha ministri i rendit publik të Greqisë, Michalis Chrisohoidis.
Në Britani, e cila po lufton me një variant më ngjitës të virusit, banorëve iu kërkua “të prisnin vitin e ri të sigurt në shtëpi”. Londra ka qenë nën një izolim të rreptë që kufizoi festimet e Krishtlindjeve dhe blerjet, si dhe u anulluan fishekzjarret mbi lumin Tamiz.
Dubai nisi vitin 2021 me shfaqjen e tij vjetore të fishekzjarreve pranë ndërtesës më të lartë në botë, Burj Khalifa, por disa thonë se kufizimet për virusin e bënin ngjarjen më pak argëtuese.
“Njerëzit vijnë në Dubai sepse është i hapur, por ka kaq shumë rregulla”, tha për agjensinë e lajmeve Associated Press, Bashir Shehu, 50 vjeç, i cili ishte duke vizituar nga Abuja, Nigeri, me familjen e tij. “Lutemi që vitin e ardhshëm të mund të festojmë në liri të vërtetë”.
Në Indi, festimet për të shënuar 2021-shin u zbutën për shkak të ndalim-qarkullimit, ndalimit të festave në plazh dhe kufizimeve të tjera të udhëtimit. Në qytetet e mëdha, hotelet dhe baret u mbyllën në orën 11:00 të darkës dhe Associated Press raportoi se dronët po monitoronin lëvizjen e njerëzve në Mumbai, ku tubimet e mëdha janë të ndaluara.
Japonia e priti vitin e ri në heshtje falë rasteve në rritje të COVID-19.
Guvernatorja e Tokios, Yuriko Koike, u kishte kërkuar njerëzve që të mos merrnin pjesë në ceremonitë e fundvitit.
“Koronavirusi nuk njeh pushime të fundvitit ose të Vitit të Ri”, tha ajo.
Koreja e Jugut, ku qeveria ndaloi mbledhjet e më shumë se pesë personave, pa një natë të ndryshme të Vitit të Ri pasi rënia tradicionale e këmbanës në Seul u anulua për herë të parë që nga viti 1953. Plazhet ku koreanojugorët mblidhen për të parë lindjen e diellit ishin të mbyllura, me disa media që njoftuan planet për ta transmetuar atë. Komplekset e skive dhe vendet e tjera turistike u mbyllën.
Në Tajvan, zyrtarët organizuan një shfaqje fishekzjarresh pranë kullës së mirënjohur Taipei 101. Një ceremoni e ngritjes së flamurit në mëngjesin e Vitit të Ri u zhvillua përpara ndërtesës së Zyrës Presidenciale, por pjesëmarrja ishte e kufizuar tek zyrtarët e qeverisë dhe personat e ftuar.
Tajvani ka patur shtatë vdekje dhe më pak se 1’000 infeksione, sipas Universitetit Johns Hopkins që po monitoron shpërthimin e virusit që shkakton COVID-19.
Hong Kongu anulloi festimet publike për të dytin vit radhazi. Vitin e kaluar, kjo ishte për shkak të shqetësimeve të sigurisë publike. Restorantet mbyllen në orën 6 pasdite dhe shfaqjet e drejtpërdrejta u anuluan. Grumbullimet ishin të kufizuara në jo më shumë se dy persona, por Associated Press raportoi se turmat ishin akoma të pranishme në zonat e pazarit.
Vendet e vogla ishullore të Paqësorit: Tonga, Samoa dhe Kiribati, pritën të parët 2021 për shkak të vendndodhjes së tyre, ndërsa pasuan fuqitë më të mëdha rajonale të Zelandës së Re, Australisë, Japonisë dhe Koresë së Jugut.
Qyteti port i Zelandës së Re, Auckland, shënoi vitin e ri me një shfaqje të madhe të dritave lazer dhe fishekzjarrësh në kullën e mirënjohur Sky Tower, ndërsa banorët festuan përgjigjen e suksesshme të vendit-ishull ndaj shpërthimit të koronavirusit që rezultoi në vetëm 2’162 të infektuar nga koronavirusi dhe 25 vdekje.
Në Australi, miliona njerëz që mblidhen normalisht në Portin e Sidneit për të parë shfaqjen e fishekzjarreve me famë botërore mbi Shtëpinë e mirënjohur të Operas së qytetit, i ndoqën ato nga shtëpitë. Kryeministrja e Uellsit të Ri Jugor, Gladys Berejiklian, njoftoi në fillim të kësaj jave se publiku nuk do të lejohej në port për shkak të një vale infektimesh në periferitë e tij të Plazhit Verior.
Përtej Atlantikut, turmat e zakonshme nuk u lejuan më në Times Square të Nju Jorkut këtë vit për shkak të masave të miratuara për të parandaluar përhapjen e koronavirusit. Turmat u zëvendësuan nga policia që monitoroi zonën duke dekurajuar këdo që përpiqej të hynte në zonë për të parë të famshmen “uljen e topit” që mirëpret fillimin e vitit të ri.
Në Rio de Janeiro, Brazil, zyrtarët kanë anuluar festën vjetore të plazhit të Vitit të Ri, e cila normalisht tërheq qindra mijëra njerëz me muzikë live dhe një shfaqje fishekzjarresh spektakolare./VOA.