Shefi i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, është shprehur sot se masat aktuale anti COVID do të qëndrojnë të paktën deri më 1 shkurt. Në një intervistë për Report Tv, anëtari i Komitetit të Ekspertëve Brataj tha se autoritetet janë në proces monitorimi të vazhdueshëm dhe në varësi të situatës merren edhe vendimet.
“Modeli që ne kemi krijuar është miks mes modeleve të të gjithë vendeve të tjera. Unë mendoj se deri më 1 shkurt patjetër do të kemi këto masa. Do të shohim se çfarë ndodh me indikatorët e sëmundjes. Dhe nuk mund të shprehemi për një periudhë të gjatë. Por me këto masa nuk mendoj se janë agresive që të pengojnë aktivitetet e tjera. Ndaj më mirë të rrimë në këto masa”, tha ai. I pyetur se çfarë pritet për situatën në vijim Brataj tha se çdo gjë varet nga respektimi ose jo i masave.
“Ne jemi duke monitoruar. Më parë ka qenë gati në ezaurim e gjithë rezerva e shtretërve. Kontrolli çoi në menaxhim dhe përballim normal të situatës. Kështu që ky kontroll është ende në monitorim dhe menaxhimi është në këtë moment në situatë dinamike”, vijoi ai. Ndërkohë që për variantin e ri të koronavirusit, shefi i Urgjencës Kombëtare Skënder Brataj tha se lajmi i mirë është se nuk ka agresivitet të shtuar.
“Nuk është më agresiv për fatin e mirë. Edhe me këto variacionet e reja nuk ka rrezikshmëri të shtuar. Nuk ka ndryshuar as virulenca, përkundrazi kemi raste pak më të lehta se vitin e kaluar”, tha ndër të tjera Brataj në intervistën për Report Tv.
Në fund nga Report Tv Bratajt iu kërkua edhe një koment në lidhje me emërimin e kolegsës së tij, Eugena Tomini, në pozicionin e zv. ministres së Shëndetësisë. “Tani po e mësoj nga ju! Qenka lajm shumë i mirë për një kolege të përkushtuar. Ka kaq vite që punon në Institutin e Shëndetit Publik dhe me informim shumë të mirë”, tha ai.