Brukseli autorizoi sot hedhjen në treg të vaksinës së AstraZeneca/Oxford kundër COVID-19, e treta e miratuar në BE pas atyre të Pfizer/BioNTech dhe Modernas, njoftoi sot presidentja e Komisionit Europia, Ursula von der Leyen. “Pres që kompania të livrojë 400 milionë doza ashtu siç është rënë dakord”, nënvizoi shefja e ekzekutivit europian në një mesazh në Twitter, ndërkohë që AstraZeneca është përballur që prej disa ditësh me zemërimin e drejtuesve europianë për shkak të vonesave të konsiderueshme të prodhimit.
Më herët presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen i kërkoi me forcë kompanisë së vaksinave antiCovid-19, AstraZeneca, që të përmbushte angazhimet e saj ndaj bllokut. Në një intervistë me radion gjermane ”Deutschlandfunk” Von Der Leyen theksoi se ”ajo që unë kërkoj është transparenca dhe siguria e planifikimit”. “Kontrata është e qartë si kristali”, tha ajo. Ndërkohë, AstraZeneca ka argumentuar se është e detyruar të bëjë “përpjekjen e saj më të mirë” mes një shtytjeje të paparë për të rritur prodhimin dhe për të përmbushur kërkesën e madhe aktuale.