Zgjimi në mëngjes me dhimbje koke, është mënyra më e keqe për të nisur ditën. Dhimbjet e kokës në mëngjes shpesh tingëllojnë të pakuptimta, për vetë faktin se trupi supozohet të ketë pushuar gjatë natës.
Atëherë, çfarë e shkakton dhimbjen e kokës në mëngjes? Në këtë artikull do të mësoni për shkaktarët më befasues të dhimbjes së kokës që shpërthen në mëngjes.
Gjumë i pamjaftueshëm-Trupi ka nevojë për shtatë deri në tetë orë gjumë që të funksionojë siç duhet. Nëse flini më pak, atëherë ka diçka që nuk shkon dhe organizmin e kap paniku. Hormonet arrijnë kulmin, bashkë me rrahjet e zemrës, tensionin e gjakut dhe stresin thonë ekspertët e sëmundjeve neurologjike. Një zgjidhje e shpejtë për këtë problem janë disa medikamente kundra dhimbjeve që funksionojnë menjëherë. Nëse mundeni, përpiquni të dremitni për 20-30 minuta që t’i jepni mundësi trupit të funksionojë më mirë.
Gjumë i tepruar-Nëse flini më shumë se nëntë orë, atëherë bie niveli i serotoninës, një hormon i çliruar nga truri. Sa më të ulëta të jenë nivelet e serotoninës, aq më pak gjak qarkullon në tru, gjë që nxit dhimbjen e kokës.
Luhatjet hormonale-Në mëngjes, nivelet e endorfinës, hormonit të humorit të mirë janë të ulëta. Një gjë e tillë mund të shkaktojë migrenë tek disa njerëz. Mungesa e hormoneve vështirëson qarkullimin e gjakut në tru dhe rrjedhimisht krijon dhimbje koke. Aktiviteti fizik në mëngjes nxit prodhimin e hormoneve dhe mund të pushojë dhimbjen e kokës.
Pasojat e alkolit-Nëse një natë më parë e keni tepruar me alkolin, atëherë përgatituni për dhimbje koke mëngjesin e të nesërmes. Pirja e alkolit shkakton dehidratim dhe pakësim të qarkullimit të gjakut në tru. Mënyra më e mirë është që të hidratoheni me ujë ose pije të pasura me elektrolite. Vitamina C, e tretur në ujë, ndihmon mëlçinë të përpunojë alkolin në mënyrë më efikase dh eta nxjerrë atë nga sistemi sa më parë.
Gërhitja-Gërhitja, mungesa e ajrit, marrja e frymës pakësojnë sasinë e oksigjenit në tru dhe prishin cilësinë e gjumit. Mungesa e oksigjenit zgjeron enët e gjakut dhe qarkullimin e tij në tru. Presioni është i lartë dhe koka dhemb.
Mungesa e kafes-Kafeina luan rol stimulus për sistemin nervor. Nëse jeni mësuar duke e pirë kafenë në një orë të caktuar dhe nuk i përmbaheni rutinës, do të ndieni dhembje të fortë të kokës. Sipas të dhënave, heqja dorë nga kafeja ka të njëjtin efekt dhe rrit presionin në tru duke shkaktuar dhimbje koke.
Depresioni-Dhimbjet e kokës mund të ndodhin edhe si pasojë e depresionit. Ky i fundit ka lidhje të fortë me nivelet e ulëta të serotoninës. Studimet tregojnë se depresioni prish gjumin dhe dhimbja e kokës prish humorin, duke krijuar kështu një rreth vicioz të pakapërcyeshëm.
Tensioni i lartë-Nëse vuani nga tensioni i lartë i gjakut, atëherë dhimbjet e kokës janë më frekuente. Tensioni i lartë i gjakut është një sëmundje që kurohet nëpërmjet ndryshimeve thelbësore në regjimin ushqimor dhe medikamenteve përkatëse.