Eric Garcia do të rikthehet në Spanjë, aty ku ka lindur dhe është aktivizuar me moshat. Qendërmbrojtësi po kërkohej me ngulm nga Barcelona dhe Mundo Deportivo raporton se marrëveshja është arritur.

20-vjeçari e kishte shprehur hapur dëshirën për t’u rikthyer në shtëpi. Kontrata me anglezët e Manchester City i përfundon në verë dhe Garcia nuk pranoi të rinovonte marrëveshjen.

Në këto kushte “Qytetarët” kanë vendosur të heqin dorë nga pretendimet e larta dhe qendërmbrojtësi do të rikthehet te Barcelona për shumën e 5 milion eurove që këtë muaj.

Garcia te City këtë sezon në Premier League ka luajtur vetëm në tre ndeshje, dy prej të cilave i ka nisur nga fillimi. Vjet pati më shumë hapësira, duke u përzgjedhur nga Guardiola në 13 ndeshje kampionati.