Kryeministri i Italisë po bën përpjekje maksimale për të gjetur aleatë të mundshëm për të mbajtur qeverinë e tij në këmbë, vetëm një ditë para një votëbesimi që mund të detyronte administratën e tij të dilte nga zyra dhe të çonte vendin në zgjedhje që mund të favorizonin të djathtën. Problemet e Giuseppe Contes filluan kur partia ”Italia Viva” e ish-kryeministrit Matteo Renzi u tërhoq nga koalicioni qeverisës, duke ia mohuar shumicën kryeministrit. Renzi është përplasur ashpër me Conten në një luftë rreth mënyrës më të mirë për të përdorur fondet e BE-së që dërgohen në Itali për ta ndihmuar atë të trajtojë goditjet ekonomike të pandemisë së koronavirusit.
Renzi dëshiron më shumë investime në sistemin e shëndetësisë, ndërkohë që qeveria kërkon të ketë më shumë fonde emergjente. Në një intervistë me ”La Repubblica”, Lars Feld, kreu i një paneli kryesor gjerman të ekonomistëve, thotë se kërkesat e Renzit janë në thelb të drejta, “por provokimi i një krize qeveritare rreth tyre është pak i ekzagjeruar”. ”Italia Viva” kishte vetëm dy ministra në koalicionin qeverisës, por largimi i tyre është i mjaftueshëm për t’i marrë shumicën Contes.
Nëse Conte nuk mund të gjejë një partner tjetër për aleancën e tij të qendrës së majtë ose të gjejë një marrëveshje me Renzin, zgjedhjet e reja janë pranë. ”Një votim i ri mund të jetë i favorshëm për populistët e krahut të djathtë të vendit”, tha Feld. Sidoqoftë, ka gjithashtu shpresë se Conte mund të bashkojë një koalicion të ri, i treti që nga marrja e detyrës në 2018 ose të gjejë një mënyrë për të krijuar një qeveri të unitetit kombëtar. Ai ka planifikuar t’u drejtohet të dy dhomave të parlamentit në dy ditët e ardhshme.