Holanda hyri dje në mbrëmje vonë në fazën e saj më të ashpër të kufizimeve antikoronavirus deri tani duke vendosur një shtetrrethim për natën në mbarë vendin, në një përpjekje për të kontrolluar shkallën e infeksionit. Nga dje në mbrëmje, banorët duhet të futen në shtëpi nga ora 21:00 deri në 04:30, kohë gjatë së cilës ata do të ndalohen të lënë shtëpitë e tyre.

Qëllimi është të zvogëlohen ndjeshëm infeksionet, ndërsa shqetësimet rriten për mutacionet e virusit. Vendi gjithashtu ka ndaluar fluturimet nga Britania e Madhe, Afrika e Jugut dhe Amerika e Jugut, ku janë identifikuar variante më të transmetueshme të koronavirusit.

Shkelja e shtetrrethimit gjobitet 95 euro. Ky shtetrrethim do të qëndrojë në fuqi deri më 9 shkurt.