Gjatë vitit 2020, DPSHTRR raporton 43,661 autovetura të regjistruara për herë të parë në drejtoritë rajonale. Vihet re se 29% e autoveturave të regjistruara për herë të parë janë me vit prodhimi 2010 e sipër, 63% me vit prodhimi 2005-2009 dhe 8% me vit prodhimi më të vjetër se 2005. Shifra të tilla tregojnë trendin pozitiv në regjistrimin e autoveturave të reja e të uljes së regjistrimit të autoveturave me vit prodhimi nën 2005, si rrjedhojë e VKM Nr. 633, datë 26.10.2018 për kufizimin e importit të mjeteve nën kategorinë mjedisore EURO4, si pjesë e politikave kundër ndotjes së ajrit dhe mbrojtjes së mjedisit.
Krahasuar me vitin 2018, janë regjistruar për herë të parë 80% më pak autovetura me vit prodhimi më të vjetër se 2005 ose janë 45% më pak krahasuar me vitin 2019. Ndërsa regjistrimet për herë të parë të autoveturave me vit prodhimi 2010 e lart janë shtuar ndjeshëm me +69% krahasuar me vitin 2018, çka dëshmon rritjen e interesit për importin dhe regjistrimin e mjeteve të reja dhe rinovimin e flotës në qarkullim, duke zëvendësuar gradualisht mjetet e vjetra ndotëse.