Ndarja mes Fatmir Mediut dhe Lulzim Bashës duket se është shumë e madhe. Kreu i Partisë Republikane vijon hapat për të ecur drejt zgjedhjeve të 25 prillit i vetëm. Gazetarja e Report Tv, Danjela Maloka, ka mësuar përmes burimeve se PR ka nisur mbledhjen e 5000 firmave të domosdoshme për tu regjistruar si subjekt për zgjedhjet e ardhshme. Kjo tregon se Fatmir Mediu e ka seriozisht kur shprehet se nëse nuk gjen gjuhën e përbashkët me Lulzim Bashën do të garojnë të vetëm më 25 prill. Ndërkohë që po sot, pas Tiranës dhe Shkodrës, kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu ka vijuar prezantimin e kandidatëve në qarqe, këtë herë në Shkodër.
Në fjalën e tij, teksa ka prezantuar 16 kandidatët, Mediu u shpreh se Partia Republikane është partia që beson tek prona private, si themeli i ndërtimit të ekonomisë së një vendi. Sipas tij gjendja në Shqipëri është shumë e rëndë dhe ka një përgjegjës Edi Ramen dhe regjimin e tij të korruptuar. “Unë dua mundësinë për të konkurruar, për të kontribuar çdo republikan, në çdo qendër votimi, nga Vermoshi e deri në Konispol, të gjithë së bashku, demokratë dhe republikanë, për të fituar. Ka shumë sot që shtrojnë pyetjen; Çfarë ka ndodhur ndërmjet nesh, Parti Republikane – Parti Demokratike? A po bëjmë Pazar? A po kërkojmë më shumë sesa na takojnë? Unë dua marrëdhënie të Partisë Republikane me Partinë Demokratike, në mënyrë që gjithsecili nga ju, qytetar i thjeshtë, republikan e demokrat, të ketë vlerë në zgjedhje. Politika jonë, regjimi i korruptuar që kemi përballë, manipulimi i vazhdueshëm i jetës sonë, manipulimi që Edi Rama do që t`i bëjë zgjedhjeve, kërkon që republikanë, demokratë, njerëz të ndershëm, të bashkohen në çdo qendër votimi, për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ne nuk mund t`a vëzhgojmë të keqen, ne duhet të përballemi me të keqen”, u shpreh ndër të tjera Mediu.
Por ku kanë ngecur negociatat me PD dhe çdo të ndodhë me koalicionin e PD? Mediu thotë se “po vazhdojnë”, në një kohë që kryedemokrati Lulzim Basha ka mbyllur një marrëveshje me 3 parti aleate dhe i ka premtuar vende të sigurta në lista, Agron Dukës në Durrës, Nard Ndokës në Shkodër dhe Dashamir Shehit në Tiranë.