Reforma në Drejtësi është një nga reformat më të madha të ndërmarra gjatë qeverisjes socialiste për të shndërruar pushtetin gjyqësor dhe për të bërë të mundur ndryshimin e perceptimit të opinionit publik ndaj këtij pushteti, katërcipërisht.
Deputetja e Partisë Socialiste, Kryetare e Komisionit Parlamentare për Sigurinë Kombëtare, Ermonela Felaj, në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare ka bërë një rezyme të ecurisë së Reformës në Drejtësi, realizimi i të cilës, sipas saj, është padyshim një tregues i qartë i vullnetit të mazhorancës në Kuvend dhe mbështetjes së pakursyer të kësaj qeverie.
“Reforma në Drejtësi, e cila përfaqëson një nga reformat më të mëdha të ndërmarra nga qeverisja jonë. Tashmë janë materializuar dhe janë në udhën e tyre institucionale institucionet e reja të drejtësisë. Padyshim, që Qeveria ka patur kontributin e vetë, por nuk duhet harruar që në krye të kësaj reforme u vendos parlamenti, dhe jo më kot, por me qëllimin e veçantë që kjo reformë të ketë konsensusin e të gjitha palëve politike në vend”,- tha Felaj për ATSH.
“Pavarësisht vështirësive dhe pavarësisht shkopinjve nën rrota që i’u vu ecurisë së këtij procesi të rëndësishëm, këtu e kam fjalën për procesin e Vetingut që përbën dhe thelbin e reformës në drejtësi, kjo reformë ia ka arritur të ecë. Organet kryesore të qeverisjes së pushtetit gjyqësorë janë të konstituuar tashmë dhe kanë krijuar një praktikë të mirë pune, flas për KLP dhe KLGJ. U konstituua dhe ILD dhe jemi drejt të konstituimit të plotë të Gjykatës Kushtetuese, një nga institucionet më të rëndësishëm në vend, si garanti kryesor i Kushtetutës dhe garanti kryesorë që ligjet të jenë në respekt të frymës dhe germave të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë”,- shtoi Felaj
“Në këtë pikë do të thoja që vlerësimet sigurisht vlejnë patjetër për qeverinë dhe mazhorancën në parlament, por një shumicë gjërash që lidhen me materializimin e reformës në drejtësi dhe ecjen e saj lidhen me kuvendin. Në këtë pikë do doja ta diferencoja parlamentin nga Qeveria. Qeveria ka qenë mbështetëse, sigurisht, sepse baza materiale e nevojshme që siguron mirëfunksionimin e këtyre organeve ka qenë e mundësuar në mënyrë të vijuar nga qeveria dhe kjo patjetër provon dhe njëherë se qeveria e mazhoranca në parlament mbeten të unifikuara në qëndrimin e tyre në realizimin e Reformës në Drejtësi, si reformë për të shndërruar pushtetin gjyqësor dhe për të bërë të mundur përceptimin e opinionit publik për këtë pushtet që të ndryshojë katërcipërisht”,- tha Felaj për ATSH.
E pyetur për plotësimin e plotë të Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të Lartë, të cilat për shkak të Vetingut mbetën pa gjyqtarë, u shpreh se “ka një formulë ligjore e kushtetuese për konstituimin e Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të Lartë. Lajmi i mirë është që Gjykata Kushtetuese, për momentin është plotësuar me shtatë anëtarë dhe ka shumicën e nevojshme për vendimmarrje dhe nuk besoj se do ketë të tjera pengesa për plotësimin e numrit të plotë të kësaj gjykate dhe për plotësimin e plotë në Gjykatën e Lartë që është një turp që zgjidhet përmes Këshillit të Lartë Gjyqësorë. Anëtarët e Gjykatës së Lartë emërohen nga Presidenti me propozim të KLGJ me një mandat 9 vjet. Të dyja këto Gjykata, janë hallka më e lartë e ushtrimit të pushtetit gjyqësor. Edhe vendimet e kësaj gjykate duhet të botohen sipas Kushtetutës”,- tha Felaj.
“Plotësimi i këtyre dy gjykatave, në numrin e plotë të anëtarëve të tyre është një fakt mjaft domethënës, sepse shënon funksiononin e plotë të dy gjykatave më të rëndësishme në vend, njëra si mbrojtëse e garante i Kushtetutës dhe tjetra si hallka më e lartë e pushtetit gjyqësorit, apo e përballjes së individëve apo institucioneve shtetërore. Vendimet e Gjykatës së Lartë janë vendime të formës së prerë, përfundimtare, dhe të detyrueshme për zbatim si nga ana e individëve apo institucioneve në të gjithë Republikën e Shqipërisë. Ndërkohë që vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë vendime që kanë forcën e ligjit dhe botohen në fletoren zyrtare”,- sqaron ajo.