Ditën e sotme, ylli i muzikës, Justin Timberlake feston 40-vjetorin e lindjes. Përmes një postimi në Instagram, bashkëshortja e tij, aktorja Jessica Biel i dedikoi një urim të veçantë. Krahas disa fotografive, Biel shkroi: “Nuk ka njeri tjetër me të cilin argëtohem më shumë, qesh më shumë, ndjej më tepër apo kam kaq shumë ndodhi. Të uroj një vit sa më kreativ dhe përmbushës. Gëzuar 40-vjetorin, dashuria ime”, u shpreh 38-vjeçarja.
Kjo ditëlindje e gjeti Justin-in për herë të parë si baba të dy fëmijëve. Këtë muaj, Timberlake dhe Biel deklaruan se tanimë ishin prindër të një tjetër djali, Phineas-it, pas Silas-it, i cili erdhi në jetë në prill të 2015-ës. Së fundmi, një burim rrëfeu për “PEOPLE” se gjithçka po shkon më së mirë në familjen e tyre. “Duken tepër të lumtur. Po e kalojnë kohës midis Los Angeles-it dhe Montana-s”. Të premten, në një intervistë për “The tonight show starring Jimmy Fallon”, Timberlake u shpreh kështu, sa i takon eksperiencës si baba i një të porsalinduri: “Askush nuk fle, por ama është kaq i këndshëm”.
Dyshja është bashkë prej më shumë se një dekade. Në një intervistë në vitin 2019, Biel zbuloi se teknikisht ata u njohën dhe folën për herë të parë në një festë ditëlindjeje, të një prej shokëve të Timberlake-ut.