Karantina kombëtare në Gjermani mund të zgjasë të paktën deri për Pashkët katolike të 4 Prillit. Paralajmërimin e zymtë e bëri Kancelarja Angela Merkel në një videokonferencë me strukturat drejtuese të partisë së saj, ku tha se masat e ashpra që janë aktualisht në fuqi, janë të nevojshme për të penguar variantin britanik të koronavirusit, që përhapet më shpejt.

Nëse masat hiqen, Merkel tha se infektimet ditore mund edhe të dhjetëfishohen. Pavarësisht se në nivele të ulta krahasuar me rekordet, infektimet ditore nuk po bien aq sa ç’pritej me aplikimin e karantinës kombëtare. Shkak për këtë, sipas virologëve, janë ambientet e punës ku vazhdojnë të qëndrojnë shumë punonjës së bashku. Virologët këshillojnë të nxitet sa më shumë të jetë e mundur puna nga shtëpia.

Tendenca rënëse në Britaninë e Madhe, origjina e mutacionit më agresiv të koronavirusit, vazhdoi edhe këtë 24-orësh. Infektimet ditore në Britaninë e Madhe ranë në rreth 46 mijë raste. Rënia e rasteve të infektimeve të reja vazhdon prej 3 ditësh e po ashtu edhe e numrit të viktimave. Të qëndrueshme infektimet ditore edhe në Itali, Francë madje edhe në Shtetet e Bashkuara.