Doktor Tritan Shehu i PD-së, i cili prej kohësh nuk merret me asgjë praktikisht, sot ka bërë disa zbulime nga divani i shtëpisë së tij, të cilat sipas tij do të sjellin zgjidhjen e problemeve të pandemisë jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për Boris Johnsonin dhe Britaninë e Madhe. Kështu, nga qoshja e kolltukut, Doktor Tritan Divani ka zbuluar se mutacioni i virusit të Covid qakullon prej kohësh në Shqipëri.”Komiteti Zhvejk” siç i quan ai kolegët – për turpin e vet – nuk e ka zbuluar dot, ndërkohë që vetë ish deputeti demokrat e ka zbuluar.

I idhnuar me krye-epidemiologen Silva Bino, e cila i vuri në dukje në një përplasje live aftësinë e pazakontë për të folur pa menduar, Doktor Divani është shprehur sot i habitur në një status të gjatë, pse mutacioni i Covid ndodhet në Angli dhe nuk paskërka ardhur në Shqipëri. Dhe siç ka bërë gjatë gjithë kohës së pandemisë, Doktor Divani ka hapur faqen e Fejsbukut dhe u ka shkruar katërmbëdhjetë ndjekësve të tij sekretet e fitores mbi pandeminë në këto momente vendimtare. Ndër to, përmenden 7500 testime në ditë, marrja e vaksinës për popullatën dhe angazhimi i mjekëve. Gjë për të cilën, asnjë vendi në botë nuk i kishte shkuar mendja deri më sot.