Nga Flogert Muça/ Lulzim Basha ditën e sotme ka dalë dhe ka prezantuar programin e tij ekonomik, duke shfrenuar fantazinë me premtime që do i kishte lakmi edhe Gjermania nëse do të bëheshin realitet. Premtimet që fillonin me zhdukjen e papunësisë dhe me rritjen ekonomike 30%, ishin fantazitë që Basha sot shiti para shqiptarëve si opsionin e tij për zgjedhjet e 25 Prillit. Por deri këtu nuk ka asnjë problem. Natyrisht që në fushata elektorale partitë abuzojnë pak me premtimet, por problem fillon e bëhet kur fluturon siç bëri Basha sot.
Megjtihatë, nuk është ky thelbi i problemit të Lulzim Bashës dhe të premtimeve të tij. Thelbi i problemit të Bashës edhe këtë herë është e shkuara e tij. Luli, njëlloj siç fshihet pas të shkuarës së tij si njeriu që ka patur në dorë dosjet e UÇK-së, ose aferës 230 milionë euroshe e Rrugës së Kombit, falja e detit ndaj Greqisë, njëlloj i fshihet edhe premtimeve që ka bërë kur ishte kryetar Bashkie. Janë rreth 50 premtime kryesore që ka bërë në 2011 kur kandidoi për kryebashkiak të Tiranës e të 50-ta rezultuan mashtrime elektorale. Natyrisht që qytetarët mbajnë mend ato me pikantet si TRAM-i, karta e studentit, Bulevardi i ri apo Pazari i ri, por në fakt janë edhe dhjetëra premtime të tjera që ai i bëri njëlloj si sot dhe më pas nuk nguli asnjë gozhdë në qytet.
Lulzim Basha pati fatin e madh që pavarsisht se u bë ashtu si u bë kryetar bashkie, mund të krijonte një model me të cilin tu dilte shqiptarëve sot përballë dhe tu thoshte: ” Ja, siç kam bërë këtë vepër, do të bëj Shqipërinë”. Por ai e humbi shansin që të krijonte fabulën e tij, pasi zgjodhi të mos bëjë asnjë vepër për qytetin. Fiks për këtë arsye, ai sot nuk është i besueshëm për shqiptarët, pasi ata, ne, nuk shohim asnjë ilustrim se si Lulzim Basha mund të bëjë një punë. E vetmja gjë që dimë me siguri është se Lulzim Basha fryhet me premtime haluçinante dhe më pas nga dremitja kalon në gjumë duke e lënë institucionin që drejton në rënie të lirë.
Ilustrimi i fabulës që Luli vetëm dremit ose fle mund të bëhet më çdo premtim publik që ai ka bërë. E si për ironi të fatit, të njëjtën gjë që u ka bërë qytetarëve të Tiranës si kryebashkiak, ja ka bërë demokratëve që nga dita që iu dhuruar drejtimi i partisë nga Sali Berisha. Që nga ajo ditë demokratëve u ka premtuar se do të fitojë e do ringrejë PD-në, por në fakt ka ngritur e shtuar vetëm vilat e tij dhe partisë i ka dhuruar 3 palë zgjedhje të humbura. Thënë këtë, ngado që ta kapësh Lulzim Bashën, nuk i gjen dot një vepër për së mbari që të ketë vulën e tij, ndaj edhe premtimet e sotme janë ose një tallje me shqiptarët ose një një tentativë për tu fshehur nga e shkuara duke premtuar gjëra edhe më të pamundura se ato që ka premtuar këto 15 vite në politikë… dhe akoma nuk turpërohet.