Deputeti Andi Përmeti ka treguar për herë të parë betejën e vështirë që kaloi me koronavirusin, duke e mundur atë pas 21 ditësh qëndrimi në një spital privat në Turqi. Në një intervistë Përmeti rrëfeu për shikuesit se ai u riinfektua pas 4 muajsh e gjysmë që kishte kaluar koronavirusin për herë të parë në qershor. Mes të tjerash ai tha se në spitalin COVID2 ishte shtruar me mushkëritë 30% të prekura, ndërsa theksoi se ishte dërguar në Turqi me 90% të pulmonit të bllokuar. Po ashtu Përmeti tha se ka kaluar një situatë shumë të vështirë, që sipas tij e kupton vetëm ai që e kalon këtë sëmundje. Deputeti Përmeti pohoi se nuk ishte në dijeni të gjendjes së tij të rëndë, duke shtuar se u gëzua për faktin se kishte shpëtuar gjallë.
PJESË NGA INTERVISTA Në vend pati një interes të mbarë publikut për gjendjen tuaj… Jam i kënaqur, pasi dola nga gjendja e vështirë, mora vesh interesimin e njerëzve të mi dhe shumë te tjereve qe si kisha takuar kurrë. Jam ndjerë i lumtur, pavarësisht rrezikut që kalova unë. Uroj që gjendjen time mos ta përjetojë kush.
Ne komunikonim me një mjek shqiptar në Turqi për gjendjen tuaj shëndetësore Doja të falënderojë mjekun, Gersi Aleshajn, i cili më ka qëndruar pranë. Më tregoni se si kanë qenë ato ditë? Keni qëndruar 21 ditë? 21 ditë, një gjendje relativisht e vështirë, mbi 90 % e mushkërive të bllokuara. Të gjitha maskat që kam përdorur atje kishin një burim oksigjeni. Rriteshin litrat në minutë dhe rritej presioni. Kam qëndruar me 50 litra oksigjen në minutë.
Ishit koshient? Po, gjithë kohës. Për shkak të presionit, ditët e para e kam pasur të vështirë të fle, kishte rastet që 24 orë nuk flisja. U detyruan mjeket që të më bënin qetësues. As telefonin nuk merrja dot, as të pija një gotë ujë, isha i pafuqishëm. Ishin ditë të vështira. Është situatë e vështirë të përshkruhet, pa e jetuar. Do të thoja është e vetmja intervistë që bëj në të cilën ndjej një lloj emocioni për të komunikuar.
Ju e kaluat njëherë COVID në kohën e verës. Çfarë ndodhi në atë kohë? E kalova COVID në qershor, e kam kaluar lehtë me medikamente normale që i këshillon një doktor familje. Kisha 14 ditë rresht temperaturë, por jo shumë të lartë. Jam ruajtur gjithmonë, edhe kam mbajtur maskë. Kam bërë thirrje që njerëzit të jenë të kujdesshëm edhe para së të më zinte COVID. Ndaj edhe ju mediat, jeni zëri që qytetarët dëgjojnë njerëzi; ju lutem rezervohuni që të nxirrni sharlatanë në televizor që mohojnë pandeminë. Njerëzit duhet të kuptojnë rëndësinë e kësaj situate dhe të mbrohen.
Çfarë simptomash kishit tjetër? S’kam pasur asnjë komplikacion tjetër. Veç temperaturës. Jam kuruar me paracetamol, vitaminë C dhe azitromicinë. Qëndrova 20 ditë i izoluar. Për sigurinë e njerëzve dhe më pas mendova se do të kisha një lloj imuniteti dhe u infektova pas 4 muaj e gjysmë.
Ishte një covid për herë të dytë apo i pakuruar mirë? Nuk ka covid të pakuruar sipas mjekëve, por riinfektim nga e para. Rastet e përsëritura janë shumë dhe jo pak. Ne Amerikë ka pasur nga 3 herë. Ata e konsiderojnë si një lloj virozë, edhe mund të rikapë. Në varësi të virozë, ka të bëjë se sa rëndë mund ta kalosh. Ata e quajnë të njëjtin virus, se ndajnë dot nga mutacioni. Është COVID, dikujt i prek mushkëritë, dikujt zemrën.
Ju u shtruat tek COVID2. Cila ishte përvoja juaj në atë spital? Sa qëndruat?
Atje qëndrova 6 ditë. Përvojën doja ta ndaja në 2 pjesë për të qenë të sinqertë. Unë u rëndova shumë kur u shtrova. U shtrova me 30 %, dhe shkova në Turqi me 90% mushkërinë të prekur. Në COVID2, mjekët dhe infermierët rrinin tek koka ditë natë. Ata janë heronj për punën që bëjnë. Një pjesë të tyre i kam falënderuar edhe përmes sms-ve. Më pas për protokollin, pajiset, aparaturat, është gjë që lë për të dëshiruar. Fakti që u detyrova që të iki andej me urgjencë, tregon situatën.
Kur u bë e domosdoshme largimi drejt Turqisë? Shkova në Turqi me 90% të mushkërive të prekura. U shtrova tek Sanatoriumi me 5 litra oksigjen dhe u nisa me 45. Përkeqësimi ishte nga 30-90 përqind. Ditët e para në Turqi, edhe shpresa për të jetuar ishte e pakët, sipas mjekëve.
Në çdo rast njerëzit flasin me terma të përgjithshëm, doja të më tregonit me detaje çfarë mendimesh kishit? Frika për jetën ishte e përditshme. Pavarësisht se kisha një fat, se nuk e dija situatën time. Mbase po ta dija, do ishte vështirësi më e madhe dhe mund të shkonin gjëra më keq. Në reaminacion dëgjojë njerëz që bërtisnin, hiqnin tuba. Zhurma, presioni i ajrit, është një situatë që se përshkruan dot me fjalë. Të duket tërë kohës sikur luan futboll tërë kohës, dhe kur luan ke një moment pauze dhe ke nevojë për të ndaluar.
E kuptonit gjendjen në të cilën ndodheshit? Jo se dija. Atje njerëzit hiqnin tubat natën, kishin goditje ankthi, isha i qetë dhe mendoja se kisha 30-40% të mushkërive të prekura. Kjo dhe për shkak të bashkëshortes time që sa herë hynte atje më thoshte; “po përmirësohesh”. Gjendjen time e kam marrë vesh ditët e fundit që erdhën mjekët në pavion dhe më treguan analizat.
A u trembët në atë moment? Thjesht u ndjeva i lumtur që isha gjallë. Rreziku kishte kaluar. Kur e kuptova që kisha kaluar rrezikun, isha i lumtur që isha gjallë. Çfarë ju mbajti të fortë tjetër? Familja. Çuni që kisha në Shqipëri. Familja, të gjitha. Njeriu në ato momente krijon forcë, forcë për jetën e tij. Por beteja është e vështirë, që duhet ta ndjesh dhe ta përjetosh vështirësinë. Kur kaloi dita e 12 nusja më thoshte; “je në përmirësim”. Nuk bëhej fjalë që të ushqehesha, apo të ngrihesha. Por për fat e përballova mirë.