Fasli Arapaj, është një nga fermerët e shumët në Lushnjë, i cili edhe pse është i paralizuar, nuk i ndahet bujqësisë. Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Milva Ekonomi vizitoi sot fermën e tij, në fshatin Kadiaj, në Lushnje. Arapaj e ka të pamundur ecjen, por me mbështetjen e bashkëshortes së tij, ndan gjithë punën dhe përgjegjësitë. “E kam nisur serën me gruan, morëm dy dylym në fillim. Sot kam 15 dylym. Ajo e ka bërë të gjithë punën, pasi unë kam patur vështirësi për të lëvizur”, shprehet Arapaj.
Arapaj tregon se deri para pak kohësh ai kishte problemin e ujitjes së tokës së tij. Por, shprehet ai, pas ardhjes së kësaj qeveria u investua për ndërtimin e kanalit ujitës, i cili tani është me beton dhe fermerët nuk hasin më asnjë problem vaditjen. “Për të kryer punët në fermë marrë punëtorë. Ka raste që kam punësuar edhe 15 punëtorë njëkohësisht. Po s’punove s’do kesh të ardhura. Me këtë fermë jam ushqyer, kam bërë shtëpinë, kam martuar fëmijët“, shprehet Arapi.
Ministrja Ekonomi vuri në dukje se në 4 vitet e fundit është shtuar ndjeshëm sipërfaqja e mbjellë nën ujë. Sipas saj, përveç kanalit ujitës, në këtë zonë është investuar edhe në kanalin kullues, në mënyrë që gjatë periudhës me reshje të shumta sipërfaqja e serave të kullohet dhe të vijojë puna normalisht. “Vaditja është kusht për prodhim me rendiment sidomos në sera”, tha Ekonomi. Arapaj, tha ministrja Ekonomi, me punën në serën e tij për prodhimin e domateve është kthyer në një shembull dhe histori frymëzimi, pasi edhe pse i pamundur për të ecur, ka arritur të drejtojë gjithë këtë biznes nga makina, falë familjes së tij, por edhe punonjësve. Falë mbështetjes së vazhdueshme nga qeveria për njerëzit që punojnë tokën, që tanimë shtrihet edhe tek nafta pa taksa, fermerët shqiptarë konkurrojnë sot me fermerë të rajonit e më gjerë, teksa eksportojnë prodhimet e tyre në destinacionet kryesore europiane.