Prefekti i Qarkut Lezhë, Gjok Jaku informoi se sot sipërfaqja me prezencë uji është ulur me 50%, çka tregon për një qasje krejt të re ndaj situatave të këtij lloji të pushtetit lokal dhe qeverisë. Përmes një deklarate për shtyp, Jaku bëri një bilanc të situatës së krijuar nga reshjet intensive të ditëve të fundit. “Nga dita e shtunë, 9 janar prej rreth 35 orësh, territori i Qarkut Lezhë u përshkrua nga reshje të mëdha shiu prej rreth 170 mm, duke vënë në vështirësi të gjithë rrjetin ujor, strukturat tona të emergjencave civile. Një sipërfaqe prej afro 3000 ha tokë bujqësore pati prezencë uji, një numër banesash gjithashtu u gjenden të rrethuara nga uji. 30 familje në nevojë u nxorën nga banesat e tyre nga strukturat e Emergjencave Civile të bashkive dhe u strehuan provizorisht”, tha Jaku.
Po ashtu, Prefekti theksoi se “dukuria e shembjes masive të dherave ishte shumë prezente këto kohë, por pa dëmtuar asnjë banesë”. Sipas tij, “të gjithë hidrovorët ishin në gatishmëri të plotë punë e përballuan mjaft mirë ngarkesën e prurjeve”. “Furnizimi me energji elektrike të familjarëve, biznesit dhe hidrovorëve ishte në nivel mjaft të mirë. Të gjitha strukturat e Emergjencave Civile nga qendra në bazë ishin në krye të detyrës, të angazhuara maksimalisht për të mirëmenaxhuar situatën, për të qenë pranë banorëve e për të zbutur efektet e kësaj dukurie natyrore”, tha Jaku. Prefekti theksoi se “Qarku Lezhë prej dekadash bën pjesë në hartën e zonës së riskut nga përmbytjet”.
“Jemi dëshmitarë të situatave të tjera të mëparshme ku dëmet kanë qenë të jashtëzakonshme e shpeshherë dhe pa interes për strukturat shtetërore, një pjesë e mirë e familjeve tona ndër vite të padëshpërblyera asnjëherë. Qindra banesa e mijëra ha tokë kanë qendruar nën pushtetin e ujit me javë të tëra e ndërkohë që sasia e reshjeve dhe prurjeve ka qenë më e vogël se kjo e fundit, ky është një fakt”, tha ai. Sot, vetëm pas 2 ditësh, Jaku tha se “shohim se sipërfaqja me prezencë uji është ulur me 50%, çka tregon për një qasje krejt të re ndaj situatave të këtij lloji të pushtetit lokal, Emergjencave Civile, punonjësve të Bordit të Kullimit, OSHEE-së, ushtrisë e politikave të qeverisë”. “Vetëm në afro 2 vitet e fundit është punuar në rrjetin ujor të kullimit si kurrë më parë në 30 vitet e fundit, me qëllim heqjen e qarkut tonë nga harta me ngjyrë të kuqe e përmbytjeve, dhe fakti është që kjo kohë na tregoj se po bëhet gjëja e duhur. Situatat e jashtëzakonshme kërkojnë solidaritet, bashkëpunim të strukturave tona me qytetarë, prandaj lutemi që çdo rast të ndërhyrjes së jashtëligjshme në rrjetin ujor, ta denonconi, çdo rast të ndëhyjes në këtë rrjet për shkak të ndërtimeve, ta konsultoni e të merrni miratimin e organeve shtetërore. Me besimin që këto momente vështirësie kalohen bashkë, ndjehemi mirë të informojmë se nuk u përballëm me pasoja në njerëz, banesa, blegtori dhe se jemi në krah të banorëve për çdo situate emergjence”, tha në përfundim Prefekti i Qarkut Lezhë.