A është e mundur të testohesh pozitivisht për Covid-19 edhe pas marrjes së dozës së parë të vaksinës? A mund të ketë ky injeksion një efekt paraprak mbrojtës? Dhe sa kohë duhet që kjo të aktivizohet?
Këto janë pikëpyetjet e ngritura në gazetën italiane ”Il Sole 24 Ore”, pas zbulimit të 21 rasteve me persona sërish të infektuar me Covid-19 edhe pas dozës së parë të vaksinimit.
Këto janë pyetje të shpeshta, që studiuesit kërkojnë t’u japin përgjigje edhe pas lajmeve të tilla si ato të raportuara nga gazeta ”La Nazione” për shpërthimin e koronavirusit në spitalin ”Santa Caterina di Prato” ku ka pasur raste të shumta edhe midis të moshuarve që ishin vaksinuar ditët e fundit kundër Covid-19.
Sipas të dhënave të siguruara nga ”ASL Toscana Centro”, pas një tamponi të kryer më 6 janar, u regjistruan 46 të moshuar pozitivë.
Nga këta, 21 ishin vaksinuar më 30 dhjetor. Pozitivët sipas strukturës shëndetësore, janë të gjitha asimptomatikë dhe nuk kërkojnë shtrim në spital.
“Unë mendoj se të vaksinuar dhe më pas me rezultat pozitiv ishin subjekte që tashmë kishin sëmundjen në inkubacion në kohën e administrimit të vaksinës. Është plotësisht e mundur që efektet pozitive të vaksinës mund të shfaqen me një shpejtësi më të madhe të prodhimit të antitrupave dhe për këtë arsye një zvogëlim të simptomave”, shpjegoi drejtori i përgjithshëm i ”ASL Toscana Centro”, Paolo Morello Marchese.
”Lajmi për Praton nuk duhet të habisë. Shumica e vaksinave anti Covid-19 (përfshirë Pfizer) kërkojnë përforcim pas rreth 20 ditësh. Marrja e dozës së dytë është e rëndësishme, sepse pa të efektiviteti i vaksinës zvogëlohet”, theksoi ai.
Disa vende kanë zgjedhur të zgjasin intervalin kohor ndërmjet dozës së parë dhe të dytë për të siguruar injeksionin e parë në një numër më të madh njerëzish.
”Vaksina Pfizer-BioNtech arrin 90% të efektivitetit të saj 12 ditë pas administrimit të saj të parë”, sipas këshilltarit kryesor mjekësor të Downing Street.
Sidoqoftë, komuniteti shkencor është i ndarë për këtë dhe OBSH rekomandon marrjen e dozës së dytë brenda 6 javësh në mënyrë që të ketë një mbulim maksimal.
Me pak fjalë, në 20-30 ditët që ndajnë të dy injeksionet, është e rëndësishme të vazhdoni të respektoni distancën shoqërore dhe të vishni një maskë./ATSH