Një pacient 47-vjeçar me koronavirus ndërroi jetë të shtunën, pasi ventilatori i tij pësoi shkëputje, dhe stafi mjekësor nuk arriti ta vërejë këtë gjë për disa minuta. Spitali reagoi ndaj kësaj ngjarje të rëndë, duke thënë se mjekët dhe infermierët e njësisë së kujdesit intensiv, ishin duke u marrë me disa situata emergjente në të njëjtën kohë. Spitali Ishilov në Tel Aviv, tha se “për shkak të numrit të lartë të alarmeve të njëkohshme në njësinë e kujdesit intensiv, personeli mjekësor ishte zënë duke iu përgjigjur alarmeve të urgjencës në lidhje me pacientët e tjerë”, duke e vërejtur shkëputjen e ventilatorit vetëm pas disa minutash, ndërsa pacienti ndërroi jetë disa orë më vonë.

Vi kt ima u shtrua në spital javën e kaluar në gjendje të rëndë. Pas incidentit, burimet zyrtare nga spitali izraelit, thanë se pavionet e tij po përballen me një “ngarkesë të madhe, e cila është shumë sfiduese për stafin”. Pas kësaj ngjarje, spitali do të shtojë numrin e stafit në pavionet që trajtojnë së sëmurët me koronavirus, si dhe do të zvogëlojë numrin e shtretërve. Javën e kaluar, mjekët refuzuan të lidhnin 2 pacientë në gjendje të rëndë me makineritë e oksigjenimit ECMO që shpëtojnë jetë, pasi mbështesin funksionimin e zemrës dhe mushkërive, duke u justifikuar me mungesën e personelit për të siguruar trajtimin e duhur. Numri i pacientëve të shtruar në gjendje të rëndë, është rritur në mënyrë të qëndrueshme javët e fundit, me 1.184 raste të tilla të shtunën, krahasuar me 395 një muaj më parë, pra më 16 dhjetor, kur në ventilatorë ishin lidhur 274 të sëmurë. 49 njerëz vdiqën nga koronavirusi vetëm të shtunën, duke e çuar në total numrin e të vdekurve në 3.959 që nga fillimi i pandemisë.

https://www.haaretz.com/israel-news/.premium-israeli-dies-after-hospital-staff-fail-to-notice-ventilator-was-disconnected-1.9457578