Java e dytë e vaksinimit antiCovid ka nisur sot me personelin shëndetësor të pavionit COVID të Pediatrisë, ku trajtohen fëmijët e prekur nga COVID19. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka ndjekur nga afër në “Air Albania” Stadium vaksinimin e personelit shëndetësor, nga ku deklaroi se do të vijohet me vaksinimin e kombinuar, sipas planit kombëtar të vaksinimit antiCOVID. “Sot po vaksinohen 42 mjekë, infermierë të pavionit Covid të Pediatrisë dhe të spitaleve COVID. Përgjatë gjithë javës së shkuar, ku ne kemi filluar planin tonë të vaksinimit me vaksinimin e mjekëve, infermierëve dhe një pjese të epidemiologëve të Tiranës, Durrësit, Krujës dhe disa qyteteve përreth. Janë vaksinuar saktësisht 447 mjekë, infermierë, epidemiologë, të cilët janë në vijën e parë të ofrimit të shërbimit”, tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë theksoi se vaksinimi do të vijojë, duke u intensifikuar jo vetëm për personelin e spitaleve Covid, por edhe për linjën e parë të mjekëve në shërbimet e urgjencës dhe reanimacionit, si edhe vaksinimi i kombinuar me të moshuarit e Shtëpive të të Moshuarve. Manastirliu deklaroi nga Qendra e Vaksinimit në Stadiumin “Air Albania” se përveç kontratës me Pfizer, pritet këtë javë një përgjigje nga COVAX për kohën e lëvrimit të vaksinave të para. “Do të vijojmë me administrimin e vaksinës sipas planeve tona, qoftë përsa i përket marrëveshjes me Pfizer dhe gjithashtu edhe marrëveshjes me Covax-in. Do të kemi një informacion më të detajuar për lëvrimin e dozave të Covax, shpresojmë brenda kësaj jave, për të vijuar pikërisht edhe me planin tonë të vaksinimit për kategoritë e riskuara, që janë mjekët dhe infermierët, gjithashtu me vaksinimin e të moshuarive në Shtëpitë e të Moshuarve si edhe me vaksinimin e kombinuar duke vijuar me të moshuarit mbi 75 vjeç”, tha Manastirliu. Prof. Gjeorgjina Kuli dhe stafi i pavionit COVID në Pediatri u vaksinuan sot kundër COVID19, si edhe infermierë të spitaleve COVID. Ministrja e Shëndetësisë falenderoi personelin shëndetësor për punë e bërë dhe sakrificën në këto muaj, duke theksuar se do të vijohet me vaksinimin e tyre, për të qenë më të mbrojtur ndaj riskut të infektimit nga Covid19.