Nisma COVAX e Organizatës Botërore të Shëndetësisë njoftoi se do ta nisë me vendet e varfëra shpërndarjen e vaksinave antiCovid që ka mundur të sigurojë. Drejtuesit e kësaj nisme thanë se kanë gati 1.8 miliardë doza për këto vende, të cilat do të shpërndahen në muajt e parë të këtij viti. Ndërsa për vendet e pasura që janë pjesë e nismës, furnizimi do të nisë në gjysmën e dytë të 2021-shit.
Aleanca globale e vaksinave tha se mund të ketë edhe ndryshime të kushteve të marrëveshjes me 92 vendet që janë pjesë e nismës, pasi po përballet me vonesa në furnizimin me vaksina nga firmat farmaceutike me të cilat ka marrëveshje, ndër to edhe britanikja AstraZeneca. Synimi është që fillimisht vendet pjesëtare të furnizohen në mënyrë të barabartë me doza të mjaftueshme për vaksinimin e 27% të popullsisë, kryesisht të shtresave më të rrezikuara. Pjesë e kësaj nisme është edhe Shqipëria.
Sakaq, Hungaria bëhet vendi i parë në Bashkimin Europian që miraton përdorimin urgjent të vaksinës ruse Sputnik V. Kancelarja gjermane Angela Merkel njoftoi se i kishte ofruar Rusisë bashkëpunim për zhvillimin e kësaj vaksine, me synim arritjen e standardeve për t’u përdorur në vendet e unionit dhe për ta ndihmuar në hapjen e fabrikave të prodhimit në Gjermani për këtë treg.