Nga Alfred Peza/

Është shumë familjare për shqiptarët balada e Kostandinit e Doruntinës, ku sipas legjendës ai e bindi nënën që ta martonte motrën shumë larg, pasi i dha besën se do ia sillte vetë në shtëpi sa herë që do ta merte malli për të. Fundi i historisë dihet tashmë, i njohur gjerësisht edhe nga romani i Kadaresë “Kush e solli Doruntinën”, ku Kostandini e mban fjalën duka e sjellë motrën të vdekur mbi kalë!

“Keni parë skeni parë, shkon i vdekuri me të gjallë”, është “kolona zanore” që e shoqëron këtë fabul të jashtëzakonshme, e cila çuditërisht sot ka edhe versionin e vet modern në zhvillimet politike aktuale në Shqipëri. Por ndryshe nga balada, nuk janë as liderët e PD e as ata të LSI “të vdekurit” në këtë rast, por kali i tyre i betejës në luftën aktuale politike ndaj mazhorancës socialiste.

Ai kalë e ka emrin “fatkeqësi”. Çdonjëra prej fatkeqësive natyrore, shëndetësore, nga dora e padukshme e Zotit apo nga çdo fuqi tjetër që nuk varet nga njeriu që shfaqet në jetën shoqërore të vendit, meret me turravrap për freri nga “Opozita e Bashkuar” për tu shndërruar në kalin e betejave të saj të radhës. Një kalë i ngordhur ky, nëpërmjet të cilit, kanë afër 8 vjet që po rreken të fitojnë luftën politike përballë mazhorancës socialiste dhe qeverisë së Kryeministrit Edi Rama.

Për ta nuk ka rëndësi nëse ky kalë i ngordhur është tërmeti i shtatorit, apo ai rrënimtar i 26 nëntorit 2019. As nëse ai ka formën e përmbytjeve për shkak të reshjeve të shirave, borës, breshërit, erërave e furtunave që sjell gjithnjë e më shpesh humori i shprishur i nënës natyrë. E aq më pak nëse ky kalë i ngordhur shalohet virtualisht nga opozitarët tanë, përgjatë pandemisë globale, në kulmin e një fatkeqësie shëndetësore për gjithë njerëzimin, më e rënda e 100 viteve të fundit.

Ai kalë i ngordhur nuk i ka çuar asnjëherë gjëkundi pozitarët tanë të lodhur, që janë veç të tjerash edhe pa pikën e fantazisë politike dhe në mungesë totale të vizionit dhe mbështetjes popullore. Por për ta kjo gjë ka patur gjithnjë e më pak rëndësi. Më shumë sesa fitorja e betejave me çfarëdolloj fatkeqësie që i del përpara, atyre i intereson të shtyjnë ditët, javët, muajt, vitet dhe mandatet duke improvizuar. Duke besuar se zhurma është gjithçka dhe përfundimi i tyre asgjë!

Është një qasje tipike e opozitave jo vetëm pa programe elektorale, pa alternative qeverisëse, pa vizione e frymëzim politik për të ardhmen, por edhe e liderëve pa vizion. Dembelë. Që nuk e kanë me vete forcën e moralit për ti ofruar qytetarëve të vet, ëndrrën e një shprese të re për të ardhmen e tyre më të mirë e ndryshe, në raport me atë të qeverisjes aktuale.

Është pikërisht bërja e çdo fatkeqësie që ndodh në vend, një kalë beteje si qëllim në vetëvete për luftën e saj për pushtet, ajo që e ka katandiur opozitën tonë në simbolin e humbjes së çdo gare elektorale që është zhvilluar deri më sot. Sepse, kjo lloj qasje mund të jetë çdo gjë tjetër, përveçse jo një alternativë reale dhe e vërtetë pushteti. Më shumë sesa një projekt politik dhe elektoral, ky është një projekt biologjik.

Një projekt që nuk e bazon arritjen e qëllimit për pushtet tek instrumentat e sistemit demokratik e pluralist, por tek pritja dhe shtyrja e kohës me çdo gjë që i del përpara, derisa qeveria të bjeri vetë. Derisa mazhorancës ti vijë radha të iki një ditë vetë nga pushteti. Derisa kundërshtari politik të lodhet e ta dorëzojë vetë pushtetin. Një projekt fatalist, që dëshmon mbi të gjitha se liderët e opozitës sonë nuk e kanë të ardhmen në dorën e tyre, por në atë të rivalit dhe sfidantit të vet politik.

Ky lloj kali beteje elektorale të lë gjithmonë në rrugë, për aq kohë sa mazhoranca socialiste në pushtet, i ka fituar ato në terren. E mbi të gjitha, për aq kohë sa shqiptarët dijnë të dallojnë edhe më mirë sesa liderët e tyre, se çfarë varet nga Zoti dhe çfarë varet nga robi. Se ku mbaron “faji” i natyrës dhe ku fillon ai i qeverisë së zgjedhur prej tyre.

Ndaj, pyetja që shtrohet është: Çfarë do u thonë Basha, Berisha, Meta e Kryemadhi shqiptarëve më 25 prill, tani që projekti i rindërtimit nga tërmeti po lartohet në sytë e tyre çdo ditë? Çfarë do u thonë shqiptarëve për përmbytjet, tani që reagimi i emergjencave civile dhe infrastrukturës së ndërtuar ndër vite, po funksionon si kurrë më parë në terren? Çfarë do u thonë shqiptarëve nesër për pandemirën, kur të shohin me sytë e tyre, që filloi vaksinimi i popullsisë në të njëjtën kohë me shtetet më të avancuara në këtë drejtim?

Me siguri që ndonjëri prej tyre, kur ti takojë liderët e opozitës përballë në fushatë elektorale, do i kalojë para syve edhe tufa e kuajve të ngordhur që u servirën për 8 vjet me radhë. Ndaj mund ti kujtohet edhe versioni i përmbysur i baladës dhe do nisë të mërmërisë me vete: “Keni parë, skeni parë…” Është ai momenti kur do kuptojnë se pretmimet e bëra nga PD e LSI, ndryshe nga legjenda, nuk do përmbushen kurrë në realitet! (Alpenews.al)