Komiteti Teknik i Ekspertëve në një dalje për mediat mbi situatën epidemiologjike dy javore ka bërë publike vendimet e fundit. Drejtuesja e Komitetit Teknik të Ekspertëve, Mira Rakacolli tha se kufizimi i lëvizjes fillon në orën 22:00, duke thënë gjithashtu që dhe mësimi në universitete do të vazhdojë online edhe për të paktën dy javë të tjera.
“Në diskutimet e bëra sot në mbledhjen e Komitetit Teknik të Ekspertëve mendohet që kjo situatë e qëndrueshme natyrisht që është pasojë e masave të marra, të propozuara dhe të marra gjatë dy javëve të fundit, dhe për këtë arsye ne mendojmë që në këtë lloj situate të vazhdojnë të mbeten në fuqi. Pra, të vazhdojë të mbetet në fuqi ora policore që fillon mbas orës 22:00. Universiteti të vazhdojë edhe për një periudhë dy javore online, pa prezencën e studentëve fizikisht nëpër auditore. Dhe po kështu fluturimet me Britaninë e Madhe të mbeten të pezulluara deri në datën 18 Janar”, tha Rakacolli.
Duke thënë se nuk ka të dhënë ta plota për praninë e “virusit anglez” në Shqipëri, Prof. Rakacolli në cilësine e drejtueses së Komitetit Teknik të Ekspertëve tha se situata paraqitet e qëndrueshme, por se kjo duhet të të konfirmohet në javët në vazhdim, duke bërë thirrje për respektin të masave të vëndosura.
“Akoma nuk kemi të dhëna të sakta ose të plota për praninë e virusit të ashtëquajtur “virusi anglez” në Shqipëri. Situata e epidemisë në këto dy javë në Shqipëri paraqitet e qëndrueshme me një tendencë të lehtë ulje në incidencën dy javore por që është një tendencë ulje e cila pritet të konfirmohet ose jo në javët në vazhdim. Është një situatë në të cilën duhet të jemi shumë të vëmendshëm, sidomos që priten pasojat që mund të kenë dhënë grumbullimet në festat e fundvitit. Prandaj të vazhdojmë të mbajmë masat të cilat propozohen nga autoritetet shëndetësore, t’i respektojmë ato që kemi thënë, ta vazhdojmë të përdorim maskën, dhe natyrisht të vazhdojmë të ruajmë distancimin fizik dhe atë social”, tha Rakacolli.