Këshilli i Emërimeve në Drejtësi ka zhvilluar mbledhjen e parë për këtë vit. Mësohet se këtë të enjte është konstituuar përbërja e anëtarëve që u zgjodh me short nga Presidenti Ilir Meta më datë 4 Dhjetor të vitit të kaluar. “KED vlerësoi se me konstituimin e tij, menjëherë duhet të angazhohet për të përmbushur të gjitha kompetencat dhe detyrimet që i ngarkon Kushtetuta dhe ligji, të cilat janë unike dhe të pazëvendësueshme lidhur me verifikimin, vlerësimin dhe renditjen e kandidatëve për pozicionet vakante për gjyqtarë në Gjykatën Kushtetuese”, thuhet në njoftimin e lëshuar për mediat.
Njoftimi i plotë: Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED) 2021, me praninë e të gjithë anëtarëve, anëtarëve zëvendësues, Avokatit të Popullit dhe subjekteve që ftohen sipas ligjit, zhvilloi mbledhjen e tij të parë, ditën e sotme, 14.01.2021, në ambientet e e Gjykatës së Lartë, e cila, sipas nenit 219 të ligjit nr. 115/2016, është edhe selia e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.
KED, me përbërjen e re, të zgjedhur me short nga Presidenti i Republikës, për të ushtruar komptencat dhe detyrime kushtetuese dhe ligjore për vitin 2021, me përgjegjshmëri institucionale, profesionale dhe qytetare, diskutoi për të gjitha çështjet e paracaktuara për shqyrtim në Rendin e Ditës, të bërë publik në datë 11.01.2021. Në fillim të mbledhjes së KED, në lidhje me pikën e parë të rendit të ditës, u realizua kostituimi i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, i zgjedhur me short nga Presidenti i Republikës, në datën 04.12.2020, me këtë përbërje anëtarësh:
1. Marsida Xhaferllari nga Gjykata Kushtetuese 2. Elsa Toska nga Gjykata Kushtetuese 3. Ervin Pupe nga Gjykata e Lartë 4. Adnan Xholi nga Prokuroria e Përgjithshme 5. Astrit Kalaja nga Gjykatat e Apelit 6. Elona Toro nga Gjykatat e Apelit 7. Gjon Fusha nga Zyrat e Prokurorive pranë Gjykatave të Apelit 8. Genti Xholi nga Zyrat e Prokurorive pranë Gjykatave të Apelit 9. Rilinda Selimi nga Gjykatat Administrative
Dhe anëtarë zëvendësues:Fiona Papajorgji nga Gjykata Kushtetuese 2. Ilir Panda nga Gjykata e Lartë 3. Kujtim Luli nga Prokuroria e Përgjithshme 4. Zegjine Sollaku nga Gjykata e Apelit 5. Kleanth Zeka nga Zyrat e Prokurorive pranë Gjykatave të Apelit 6. Gentiana Xhelili nga Gjykatat Administrative
KED vlerësoi se me konstituimin e tij, menjëherë duhet të angazhohet për të përmbushur të gjitha kompetencat dhe detyrimet që i ngarkon Kushtetuta dhe ligji, të cilat janë unike dhe të pazëvendësueshme lidhur me verifikimin, vlerësimin dhe renditjen e kandidatëve për pozicionet vaktante për gjyqtarë në Gjykatën Kushtetuese. Në vijim të mbledhjes, në zbatim të rendit të ditës, Këshilli u njoh me mbështetjen administrative, buxhetore, burimet njerëzore, me funksione të ndryshme të caktuar nga Gjykata e Lartë si personel mbështetës me kohë të pjesshme për veprimtarinë e KED me qëllim përballimin e ngarkesës së punës së Këshillit gjatë vitit 2021. Duke vlerësuar angazhimin dhe ngarkesën e madhe të punës së përballuar gjatë vitit 2020, por edhe disa probleme që u shfaqën në këtë drejtim, Këshilli vlerësoi se ky personel është i pamjaftueshëm për të realizuar mbështetjen e plotë dhe efektive të veprimtarisë së KED për vitin 2021. Prandaj, nisur nga parashikimet kushtetuese dhe ligjore për realizimin plotësimit të vendeve vakantë në Gjykatën Kushtetuese për vitin 2021, u vlerësua nevoja për shtesë të menjëhershme të personelit mbështetës nga Gjykata e Lartë për Këshillin, krahas vijimit të plotësimit të mëtejshëm të nevojave me buxhet të veprimtarisë së Këshillit.
KED vendosi që njoftimin për mbledhjen e ardhshme, ta bëjë publike menjëherë sapo ajo të vendoset.