Rehabilitimi i dëmeve që ka sjellë dalja nga shtrati i lumit Drin në Bërdicë të Shkodrës është vendimi i parë i Komitetit të Emergjencave Civile të saporikonstituuar. Komiteti diskutoi gjithashtu mbi situatën si pasojë e reshjeve në vend, masat e marra dhe pritshmëritë meteorologjike. Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi u shpreh se është bërë i mundur evakuimi në kohë i familjeve të prekura dhe se deri më tani nuk ka pasur asnjë humbje jete.

“Kanë qenë prurje të mëdha, ku Kaskada e Drinit ka shkaktuar disa fish më tepër dëme. Kemi mundur të largojmë nga rreziku të gjitha familjet. Nuk kemi dëme në njerëz, ndërsa edhe dëmet materiale i kemi minimizuar aq sa nuk ka të krahasuar me të shkuarën”, tha Peleshi.

Në mbledhjen e tij të parë ku u bë dhe konstitutimi i këtij Komiteti, drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Haki Çako bëri një përmbledhje të situatës së deritanishme, ku pavarësisht reshjeve të dendura, ai tha se situata është nën kontroll.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku u shpreh se është bërë një menaxhim i mirë i kaskadave për të kontrolluar nivelin e prurjeve dhe të largimit të ujit. Ministrja Balluku bëri me dije se është bërë e mundur hapja e të gjitha akseve, veç Thethit, ku ajo kërkoi edhe ndihmën e Forcave të Armatosura me mjete të rënda. Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Milva Ekonomi informoi se falë marrjes së masave në kohë, të gjithë hidrovoret janë në funksion të plotë për largimin e ujit, ndërsa pastrami dhe ndërtimi i argjinaturave mbrojtëse ka bërë që edhe lumenjtë të jenë nën kontroll. Ekonomi kërkoi edhe mbështetjen e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile për të bërë të mundur që pas kalimit të situatës të ndërhyhet për rehabilitimin e dëmeve që ka sjellë dalja nga shtrati i lumit Drin në Bërdicë të Shkodrës.

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjeneral major Prof. Asoc. Bajram Begaj siguroi se janë vënë në dispozicion të gjitha kapacitetet operacionale për përballimin e situatës, duke përfshirë edhe disa mjete të rënda. Drejtori i IGJEUM bëri të ditur se pas datës 13 janar pritet edhe një përmirësim i kushteve atmosferike që do të sjellë dhe tërheqjen e lumenjve brenda shtratit të tyre.