Komisioni Rregullator miratoi projektaktin e përgatitur nga administrata e KQZ-së për rregullat për regjistrimin e zgjedhësve nga jashtë vendit, me qëllim votimin në zgjedhjet e ardhshme të 25 Prillit.

KQZ-ja do të mbikëqyr procesin për përgatitjen e kushteve dhe zbatimin e masave që do të mundësojnë votimin nga jashtë vendit, të gjithë atyre që kanë vendbanimin e përhershëm jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, kanë të regjistruar në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile adresën e vendbanimit të përhershëm jashtë vendit dhe kërkojnë nga KQZ-ja që të pajisen me dokumentacionin e votimit nga jashtë.

Lista e zgjedhësve që do të votojnë nga jashtë përfshin vetëm zgjedhësit me vendbanim jashtë vendit, të cilët deklarojnë vullnetin për të ushtruar të drejtën e votimit, sipas rregullave që KQZ-ja do të hartojë për procedurat e tyre të votimit, për administrimin dhe numërimin e votave nga jashtë vendit dhe përfshirjen e tyre në rezultatin e përgjithshëm të zgjedhjeve.

Afati i fillimit të procesit të regjistrimit të zgjedhësve nga jashtë vendit si rregull duhet të jetë jo më vonë se 5 ditë pas shpalljes së dekretit të Presidentit për datën e zgjedhjeve për Kuvendin dhe duhet të përfundojë jo më vonë se 60 ditë para datës së zgjedhjeve.

Por për zgjedhjet e Kuvendit të datës 25 prill, afati i fillimit të këtij procesi do të vendoset nga Ilirjan Celibashi jo më vonë se data 24 shkurt 2021.

Ndërkohë, për fillimin e punës në këtë drejtim, KQZ-ja ka aktivizuar të gjitha organet që do të përfshihen.