Chelsea kreu një merkato cilësorë në verë. Klubi londinez nuk u kursye dhe emra të talentuar zbarkuan në “Stamford Bridge”. Një ekip me potencial, por Frank Lampard po has vështirësi në injektimit e mentalitetit të duhur në skuadër.

“Blutë e Londrës” u mposhtën 2-0 në fushën e Leicester City mbrëmjen e kaluar, duke regjistruar humbjen e tretë në pesë takimet e fundit në kampionat. Ecuri negative, teksa trajneri anglez mbron merkaton e klubit dhe lëshon një mesazh për lojtarët.

“Nuk mund ta quajmë zhgënjyese merkaton që kemi kryer. Nuk i zgjedh titullarët në bazë të kundërshtarit me të cilin luajmë, unë zbres gjithmonë formacionin më të mirë në fushë, me objektivin për të fituar ndeshjen.

Werner ka luajtur disa ndeshje si titullar, e njëjta gjë edhe për Ziyech. Nuk mund t’i aktivizoj të gjithë njëherësh. Nuk është mirë të diskutojmë në aspektin individual. E thjeshtë, ndeshjet humben kur lojtarët nuk ia dalin të japin kontributin e tyre në fushë“, thekson trajneri i Chelsea.