TIRANË – 24 vatra zjarri janë raportuar në të gjithë vendin gjatë 24 orëve të fundit, ndërsa 7 prej tyre vijojnë të jenë aktive dhe 2 të tjera janë në monitorim.

Për përballimin e situatës janë angazhuar 472 forca operacionale dhe 28 automjete zjarrfikëse. Në operacione janë përfshirë edhe Forcat e Armatosura me 129 efektivë, 3 automjete zjarrfikëse, 3 helikopterë dhe 2 avionë “Air Tractor”.

Aktualisht, në terren janë 140 efektivë të Forcave të Armatosura, 1 automjet zjarrfikës, 3 helikopterë dhe 2 avionë “Air Tractor”.

Dajti, vatra vijon aktive

Në Malin e Dajtit, në Tiranë, situata mbahet nën kontroll, por zjarri vijon të jetë aktiv në të dyja anët e kreshtës. Operacioni për izolimin e flakëve vijon me forcat operacionale dhe 50 efektivë të Forcave të Armatosura, të mbështetur nga një helikopter i Forcës Ajrore.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Në Vakumone, situata është nën kontroll dhe vatra është izoluar. Edhe këtu nuk raportohet rrezik për banesat, ndërsa zona e Priskës vijon të jetë në monitorim.

Operacionet në Dibër

Një nga operacionet më të mëdha vijon në Gurë-Lurë, ku janë angazhuar 180 forca bashkiake, 14 punonjës të Policisë, 30 efektivë të Forcave të Armatosura dhe dy avionë “Air Tractor”.

Korridoret e hapura në terren kanë ndihmuar në frenimin e përhapjes së zjarrit drejt banesave. Operacioni vijon për izolimin e vatrës dhe, sipas autoriteteve, nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Në Qafë Helmës, Dibër/Bulqizë, zjarri është shuar në krahun e Bulqizës, ndërsa mbetet aktiv në drejtim të Selishtës. Edhe në këtë zonë nuk raportohet rrezik për banesat.

Vatra aktive edhe në Mat, Mirditë dhe Pukë

Në Bruç të Matit, operacioni vijon në një terren shkëmbor dhe të vështirë. Forcat në terren janë përforcuar sot me 30 efektivë të Forcave të Armatosura. Autoritetet bëjnë me dije se nuk ka rrezik për banesat.

Në Lufaj të Mirditës, vatra vijon aktive me intensitet të ulët dhe me avancim të lehtë. Në operacion janë angazhuar MZSH-ja, Policia, Shërbimi Pyjor, forcat bashkiake dhe banorët, të mbështetur nga një helikopter, dy automjete zjarrfikëse të Forcave të Armatosura dhe 9 efektivë ushtarakë.

Ndërkohë, në Fushë-Lajë të Pukës, operacioni vijon në një terren të vështirë. Era ka favorizuar përhapjen e flakëve në drejtim të pyjeve të Tërbunit dhe Gjegjanit.

Në terren janë angazhuar 3 automjete zjarrfikëse, 9 efektivë të MZSH-së, 10 punonjës të Shërbimit Pyjor, 40 forca vendore, 15 vullnetarë, 30 efektivë të Forcave të Armatosura dhe dy helikopterë.

Nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon monitorimin e situatës në të gjithë territorin, në koordinim me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e Mbrojtjes Civile.

Prioriteti i operacioneve mbetet izolimi i vatrave aktive dhe mbrojtja e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve.