Kryeministri Edi Rama ka bërë të ditur shifrën e vaksinave, të cilat do të aplikohen sot. Në konferencën për mediat, kreu i qeverisë tha se do të jenë saktësisht 975 vaksina. Më pas në ditët në vijim priten edhe vaksina të tjera.
“Shifra me të cilin nisim sot është 900. Saktësisht 975 sot. Ne ndërkohë mes të sotmes dhe kësaj që thashë presim dhe 2 mijë doza të tjera, nga i njëjti vend mik. Por për momentin sot nisim me këtë. Në ditët në vazhdim do nisim duke u shtuar”, tha Rama.
Vaksina tha kreu i qeverisë nuk do të jetë e detyrueshme, por e rekomandueshme. “Vaksina nuk është e detyrueshme, kështu që nuk ka se çfarë pasoja të ketë. Vaksina është jo me detyrim. Gjithkush vendos vetë. Dëshiron ta bëjë apo nuk dëshiron ta bëjë. Është shumë e këshillueshme, është arma asgjësuese. Të tjerat janë armë mbrojtëse”, u shpreh Rama.