Situata e përmbytjeve në disa qarqe të vendit vijon të jetë problematike prej 2 ditësh në vendin tonë. Kryeministri Edi Rama e ka nisur mëngjesin duke publikuar një video të disa viteve më parë nga përmbytjet në Fier, ndërsa bën dhe një krahasim me sot.

Krahas videos Rama shkruan se vite më parë mijëra shtëpi zhyteshin në ujë e mijëra krerë bagëti ngordhnin, duke i cilësuar si përmbytje të qametshme, kurse tani sipas tij situata është më e mirë.

“Mirëmngjes dhe me keto sekonda kujtesëfreskuese nga zemra e Fierit (për të gjithë ata të cilëve problematika e derisotme me reshjet intensive nga veriu në jug, u duket si përmbytjet e qametshme të së shkuarës, kur Shqipëria s’kishte një kanal të pastruar nga plehrat dhe mijëra shtëpi zhyteshin në ujë, mijëra krerë bagëti ngordhnin e mijëra familje bllokoheshin brenda apo kalonin netë me radhë nëpër palestra shkollash – çka do kishte ndodhur edhe këto ditë nëse kilometra të pafundme kanalesh kulluese s’do ishin pastruar vit pas viti dhe s’do ishin rindërtuar a riparuar argjinaturat), ju uroj një të dielë të qetë”, shkruan Rama në postimin e tij.

Sot situata më shqetësuese paraqitet në Lumin e Shkumbinin, që është fryrë dhe rrezikon të dalë nga shtrati. Edhe në Kurbin situata vijon të jetë problematike. Në fshatin Shpërdhet është shkatërruar rruga duke izoluan banorët si dhe janë dëmtuar këmbët e urës, e ndërtuar vetëm 2 vite më parë.