Duket se lëndimi i Lionel Messit është më serioz seç mendohej, pasi trajneri i Barcelonës Ronald Koeman ka thënë se argjentinasi mund të mungojë edhe në finalen e Superkupës së Spanjës të dielën. Messi mungoi në fitoren e Barçës me penallti kundër Real Sociedadit të mërkurën, për shkak një lëndimi të paspecifikuar.
Edhe pse fillimisht u tha se kapiteni argjentinas kishte ndier vetëm një shqetësim të vogël në stërvitje, Koeman nuk është i sigurt nëse 33-vjeçari do të jetë i gatshëm për finalen e së dielës. I pyetur nëse Messi do të luajë të dielën, Koeman tha: “Shpresoj. Por nuk e di këtë, duhet të presim”. Në finalen e Superkupës, Barcelona do të përballet me fituesin e duelit të sotëm mes Real Madrid dhe Athletic Bilbao.