Observatori zviceran i futbollit, CIES ka përditësuar sot listën e futbollistëve më të shtrenjtë në botë dhe këtë vit nuk mungojnë surprizat, duke nisur që nga fakti që yjet si Lionel Messi e Cristiano Ronaldo jo vetëm nuk janë në krye, por nuk janë as pjesë e 10-shes më të shtrenjtë. CIES bazohet në 5 ligat kryesore europiane dhe llogarit një vlerësim për transferimin e secilit lojtar, përmes një algoritmi që merr në konsideratë disa parametra, si lloji i lojtarit (Kohëzgjatja e kontratës, mosha, statusi, karriera dhe performanca), klubi të cilit i përkasin (niveli sportiv dhe ekonomik) dhe konteksti ekonomik.
Kështu algoritmi renditi si futbollistin më të shtrenjtë sulmuesin anglez të Manchester United, Marcus Rashford, i cili është vetëm 23 vjeçar dhe vlera e kartonit të tij prek shifrën e 165.6 milionë eurove sipas CIES.
Menjëherë pas tij renditet sulmuesi i Borussias së Dortmundit, Erling Haaland, i cili po shkëlqen në Bundesligë dhe me kombëtaren, duke u shndërruar në një makineri golash dhe vlera e kartonit të tij arrin në 152 milionë euro. Duke qenë se i kanë mbetur vetëm 18 muaj kontratë me Paris Saint Germain, ylli francez Kylian Mbappe renditet i pesti me 149.4 milionë euro, ndërsa vlen të theksohet se në 10-shen e më të shtrenjtëve nuk bën pjesë asnjë futbollist i kampionatit italian.
Sa i përket Serisë A, futbollisti më i shtrenjtë vlerësohet marokeni i Interit, Achraf Hakimi, kartoni i të cilit kap shifrën e 113.7 eurove, i ndjekur nga shoku i tij i skuadrës Lautaro Martinez me vlerë 105.5 milionë euro dhe Matthijs De Ligt me 1047 milionë euro.