Kur Skënder Gjinushi, asokohe kreu i PSD bëri një përllogaritje “kirurgjikale” para zgjedhjeve të qershorit 2013, përmes një interviste publikoi faktin se opozita e majtë fitonte përballë Sali Berishës dhe pa një koalicion me LSI-në e Ilir Metës. Gjinushi kishte llogaritur se koalicioni i majtë fitonte deri në 80 deputetë pa LSI, skenar që ia paraqiti kryetarit të PS Edi Rama, përpara se ai të merrte vendimin për të firmosur zyrtarisht në Shkodër aleancën me Ilir Metën.

Kreu i PS dhe opozitës kërkonte që të kishte një fitore të sigurtë për largimin e Berishës nga pushteti, sikurse deklaronte ai atëherë se “stërplaku i politikës largohet vetëm duke bashkuar dhe dërguar të gjithë faktorët relevantë në zgjedhje”. Analisti Mustafa Nano e pati quajtur në këtë kohë këtë koalicion si “aleancë e qelbësirave”, ndërsa Gjinushi i kryqëzua nga ithtarët e aleancës me Metën se kërkonte të mbante vendin e dytë në koalicion, për të përfituar më shumë deputetë pasi merrte dhe “tepricat” e votave të partisë së parë dhe Kodi e favorizonte këtë skenar. Vend që ia rrezikonte LSI, sikurse ndodhi.

Ilir Meta dhe partia e tij vinin në këto zgjedhje pas 4 vite qeverisjeje me Sali Berishën, ku “4 mandatet e arta të deputetit” sikurse i cilësonte i ndjeri Dritan Prifti, larguan nga pushteti dhe nxorën nga politika liderin historik Fatos Nano. Por “çimentuan” LSI-në në qeverisje! Gjinushi këmbëngulte se përfituese e këtyre zgjedhjeve do të ishte LSI, e cila pas kalkulimeve të forta të Ilir Metës, duke ushtruar presion mbi elektoratin e majtë se vota për LSI është dhe për koalicionin me PS, por me të vetmin ndryshim se LSI e mban fjalën për punësimet, arriti që të ngrinte “stekën” e numrit të votave nga afër 70 mijë të tilla në vitin 2005 në 180 470 vota më 2013. Me shpalljen e rezultatit, LSI arriti të marrë plot 16 mandate.

Ndërsa PS e Edi Ramës, megjithëse mori 713,407 vota, të përkthyera në 66 mandate deputeti, nuk arrinte të bënte vetë qeverisjen. Pasi dhe aleatët e saj traditcionalë nuk morën deputetë dhe dalëngadalë u zbehen për sa i përket mbështetjes në elektorat!
Një raport i tillë i ndarjes së vendeve në Kuvend nga ana e koalicionit të majtë e bëri Ilir Metën një “king maker”, që përcaktonte dhe qeverisjen e ardhme të koalicionit të majtë.

Për pasojë PS dhe LSI e ndanë qeverisjen e vendit pothuajse në mënyrë të barabartë. Rama bëhet kryeministër ndërsa Ilir Meta kryetar i Kuvendit të Shqipërisë. LSI mori ministritë kryesore në vend, ndërkohë që Rama u detyrua që për katër vite me radhë të “vuante” rrjedhjen e votave e mandateve të PS drejt LSI, e cila kishte “thithur” pushtet nga aleati më i madh. Gati kishte trefishuar votat në zgjedhje.

PS, megjithëse ishte forcë e parë u dëmtua më shumë nga kjo aleancë, ndërsa vetë kryeministri Edi Rama ishte i detyruar t’i nënshtrohej humorit të Ilir Metës. Kanë mbetur në kujtesë vizitat e Ramës në zyrën e Metës në Kuvend çdo të ditë të hënë, vizita që pas përplasjes për reformën në drejtësi ku Meta ishte terësisht kundër, u rralluan deri kur u shuan fare.

Me 16 deputetë të LSI në zotërim Meta e kërcënonte Ramën deri në prishjen e qeverisë së koalicionit. As zgjedhja President i Republikës nuk e ndali sulmin e Metës ndaj Ramës, duke e bërë ndarjen përfundimtare mes PS dhe LSI një realitet. Meta në mënyrë të kamufluar mbështeste liderin e opozitës Lulzim Basha i cili në shkurt 2017 kishte ngritur “çadrën” përballë kryeministrisë dhe kërcënonte me bojkot të zgjedhjeve.

Pas një marrëveshjeje surprizë të 17 majit 2017 mes Ramës dhe Bashës, PD mori gjysmën e qeverisë dhe gati të gjitha institucionet më të rëndësishme, që nga Burgjet e deri tek Hipoteka e OSHEE, në atë bashkëqeverisjeje PS-PD, aq shumë të sulmuar. Caktimi i datës së zgjedhjeve më 25 qershor nuk u la asnjë mundësi partive politike që të krijonin koalicionet përkatëse, duke u ardhur për “osh” dhe Ramës dhe Bashës që kërkonin të zvogëlonin deri në shuarje rëndësinë e aleatëve të vegjël respektivë. Në veçanti të godisnin LSI. Duke qënë se nuk kishte asnjë shans që LSI të merrte vota nga PS, armiqësia ishte e thellë, Meta kalkuloi një strategji të fortë kundër PD dhe PS. Dhe dy partitë e mëdha kishin shpallur armik të përbashkët LSI e Ilir Metës. Janë publike akuzat e Bashës kundër Ilir Metës dhe partisë së tij.

Ilir Meta u mbështet në dy faktorë për të marrë votat e PD! E para, Meta kishte arritur që përmes punësimeve në administratë në bashkëqeverisjen 2009-2013 me Berishën të rristë listën e anëtarësisë së LSI. Ndërkohë që pas kalimit në pushtet me PS-në pas fitores në qershor 2013, drejtuesit dhe pjestarët e thjeshtë të administratës, të cilët mbanin teserën e PD, u “konvertuan” në anëtarë të LSI, partisë me të cilën kishin qeverisur 4 vite sëbashku, nga viti 2009 deri më 2013.

Gjithkush që ka kaluar nga selia e LSI në atë kohë ka parë ‘radhë’ të madhe nga ky kontigjent i PD që prisnin për të marrë një kartë anëtarësie e për të mbajtur vendin e punës. Madje dhe lokalet brenda godinës së LSI dhe rrotull saj, e dyfishuan xhiron në periudhën korrik-tetor 2013. Ky kontigjent me pak “firo” votoi LSI-në më 2017! E dyta, kreu i atëhershëm i LSI i cili priste të betohej në korrik si President i Republikës ushtroi presion ndaj elektoratit të PD, duke e paraqitur Bashën si tradhëtar të opozitës dhe të vetë PD, pas bashkëqeverisjes me Ramën dhe duke prezantuar LSI si të vetmen forcë opozitare në vend.

Një skenar i tillë bëri që kundërshtarët e betuar të Ramës, dhe me mbështetjen në prapaskenë të ish kryeministrit Sali Berisha, të kalonin në anën e LSI dhe të votonin për të. Këtij skenari i ndihmoi shumë dhe Edi Rama, i cili në të gjitha deklaratat e tij linte për të kuptuar se pas 25 qershorit do të bashkëqeverisje me Lulzim Bashën.

I kontribuoi dhe vetë Basha nuk përjashtuar nga listat e kandidatëve për deputetë në “sekondën” e fundit, Jozefina Topallin, Astrit Patozin, Majlinda Bregun, Arben Imamin e një sërë figurash në PD të cilat thithnin elektorat! Një skemë e tillë krijoi jo vetëm kaos në radhët e votuesve të djathtë, por në vend që të vendoste LSI-në nën efektin “sanduiç”, solli tkurrjen më të madhe të PD që nga viti 1992. Në zgjedhjet e 25 qershorit 2017, PS e drejtuar nga Edi Rama arriti të shtojë vetëm 50 mijë vota krahasuar me vitin 2013. Duke marrë 764,791 vota, Edi Rama arriti të përfitojë 74 mandate në Kuvend, duke tejkaluar shumicën absolutë për qeverisjen e vendit i vetëm, prej 71 mandatesh. Pra në krahasim me vitin 2013, PS arriti të shtojë me 50 mijë vota më shumë dhe plot 9 mandate.

Ndërkohë që PD mori me të gjithë aleatët e përfshirë në listën e kandidatëve të saj 456,481 vota, të konvertuara në 43 mandate (40 PD dhe 3 Ndoka, Mediu e Shehi). Pra afër 120 mijë vota më pak se sa në zgjedhjet e vitit 2013 kur PD iku nga pushteti, pas dy mandatesh qeverisjeje dhe të konvertuara në 9 mandate më pak! Rezultati më i dobët që nga 31 marsi 1991 për PD-në. Por rezultat befasues shënoi LSI. Partia e Metës shënoi një rritje të jashtëzakonshme krahasuar me vitin 2013 duke marrë plot 225,975 vota, të konvertuara në 19 mandate. Pra afër 45 mijë vota më shumë dhe 3 mandate deputeti më shumë se sa në vitin 2013. Megjithëse të pamjaftueshme për të qënë përcaktuese në qeverisjen e ardhshme, ku Rama po qeveris prej gati 4 vitesh i vetëm.

Në radhët e PD shpërthyen sulmet ndaj Bashës duke e akuzuar si tradhëtar, se ka shënuar një humbje të jashtëzakonshme në zgjedhje, madje kishte humbur votuesit traditcionalë. Teksa i kërkuan dorëheqjen nga posti, nuk munguan akuzat ndaj LSI se kishte përfituar vota në kurriz të PD, duke shënuar rrënimin elektoral të saj. Prapa nuk mbeti as PDIU e Idrizit, e cila nga 44,957 vota dhe 4 mandate që kishte më 2013, shënoi rritje duke arritur 71367 vota, por duke marrë vetëm 3 mandate dhe duke humbur një deputet. Në kurriz të PD dhe Idrizi!

Ndërkohë që PSD arriti të rikthehet në Kuvend, duke marrë një mandat deputeti, Tom Doshi fitoi në Shkodër me siglën e PSD, duke rritur me 4 mijë vota rezultatin, kur kishte 10,220 vota më 2013 por me asnjë deputet! Ndërsa më 2017 mori 14895 vota dhe prodhoi 1 mandat. Përfituesja më e madhe në kurriz të PS dhe PD në zgjedhjet parlamentare të vitit 2013 dhe vitit 2017 ka qënë LSI, e cila jo vetëm trefishoi numrin e votave ngaviti 2005 kur hyri në garën elektorale për herë të parë si forcë politike e shkëputur nga PS, por gati pesëfishoi dhe numrin e deputetëve, nga 4 më 2005 në 19 të tillë, më 2017. LSI është ngjashme me bimët kacavjerrëse të xhunglës që pasi mbijnë në trungun e drurëve, lëshojnë rrënjët nga lart që mbërrijnë në tokë dhe konkurrojnë “bashkëjetuesin” për lëndë ushqyese në tokë, zënë dritën për pemët dhe i thajnë ato. Ndaj quhen dhe “vrasës të lindur”! Kështu dhe LSI! Gërryen partitë e mëdha kur është në aleancë me ta deri në asfiksi!

Ndaj “plaga” që kanë lënë në zgjedhje e 2013 në kurrizin PS ka bërë që Rama ta ndajë mendjen përfundimisht që s’do të ketë koalicion me LSI e Ilir Metës në zgjedhjet e 25 prillit të këtij viti. Nga ana tjetër, ndonëse flitet për një opozitë të bashkuar, dhe aksioni i përbashkët opozitar mes PD dhe LSI kundër Ramës në këto tre vite ka qënë i përbashkët deri në sulm ndaj institucioneve siç ndodhi në vitin 2019 apo bojkotin e zgjedhjeve vendore po këtë vit, klima e mosbesimit mes këtyre dy partive është e madhe. Lulzim Basha i trembet faktit se në një koalicion të mundshëm me LSI e Metës e Kryemadhit, me një listë unike të përbashkët, përfituesja reale do të jetë LSI. Basha e ka të vështirë të përsërisë “filmin” e parë në zgjedhjet e vitit 2017, ku LSI thithi mijëra vota në kurriz të PD.

Ndaj po zvarrit deri në momentin e fundit nënshkrimin e marrëveshjes me Kryemadhin, aq sa tashmë është bërë e qartë se të dyja partitë do të dalin me lista më vete. Pa përjashtuar, sikurse tha një natë më parë kryetarja e LSI, ndonjë aleancë parciale, në qarqe të caktuara. Problemi i Bashës është kujt t’ia lërë “faturën” e rrëzimit të koalicionit, që pas ndonjë humbjeje të mundshme më 25 prill t’i faturojë dhe shkakun e humbjes. Të presim. PD është djegur dhe po kërkon të marrë më 25 prill mbrapsht të gjitha votat që LSI i ka marrë katër vite më parë. Sondazhet po tregojnë se qëndrimi larg LSI ka dhënë rezultat, PD ka rritje ndërsa LSI është në “pikiatë”.

Tabela krahasuese e zgjedhjeve të vitit 2013 dhe 2017

Rezultati zgjedhje 2013                   Rezultati zgjedhje 2017

PS: 713 407 vota – 66 mandate       764 791 vota- 74 mandate

PD: 528 373 vota- 49 mandate        456 481 vota- 40 mandate (+3 aleatë)

LSI: 180 470 vota- 16 mandate        225 975 vota- 19 mandate