Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, kanë inspektuar qendrën e re shëndetësore ‘Kodra e Diellit’, të ndërtuar me programin e 300 qendrave shëndetësore.
Duke u shprehur se pavarësisht pandemisë, puna për hapjen e qendrave të reja shëndetësore nuk ka ndalur, Manastirliu ka theksuar se qendra shëndetësore ‘Kodra e Diellit’ do t’ju shërbejë 12 mijë banorëve duke ofruar shërbime të aksesueshme dhe afër vendbanimit.

“12 mijë banorë do të kenë tashmë qendrën e tyre shëndetësore afër vendbanimit dhe jam e kënaqur që arritëm që ta krijojmë këtë pikë të re ambulance të Qendrës Shëndetësore Selitë, në një kohë të shkurtër, me gjithë ekipin e mjekëve dhe infermierëve që i shërbejnë komunitetit. Në kuadër të programit të 300 qendrave shëndetësore kemi mundësuar përmirësimin e infrastrukturës në fshat, në qytet me të njëjtat standarde me rehabilitimin e të gjitha qendrave shëndetësore në vend, por gjithashtu ia kemi dalë të shtojmë shërbime, duke hapur qendra të reja në të gjithë vendin”, tha Manastirliu.

Manastirliu ka bërë me dije se nga dita e hënë në Tiranë do të shtohen 4 pika të reja për testimin e shpejtë në komunitet, me qëllim kapjen e hershme dhe izolimin e rasteve me COVID19.

“Në Tiranë kemi 6 pika testimi dhe nga dita e hënë do të kemi edhe 4 pika të reja, pra 10 pika në Tiranë që do ti dedikohen testimit të shpejtë, nëpërmjet testit të shpejtë të antigenit që kryhet nga epidemiologe të trajnuar dhe që sigurisht rrisin shpejtësinë e bërjes së testit, shkurojnë kohën e pritjes dhe bëjnë atë që ne synojmë, kapjen e hershme, izolimin e rasteve dhe shkëputjen e zinxhirit të infeksionit”, tha Manastirliu.

Kryetari Bashkisë Erion Veliaj është shprehur se në të gjitha lagjen e Tiranës tashmë ofrohet shërbim me standarde dhe afër vendbanimit.

“Ofrohet i njëjti shërbim si në qendër të Bllokut ashtu edhe në periferi pa qene nevoja të bëjmë atë eksodin tipik që kemi bërë historikish”, tha Veliaj, duke vlerësuar punën e bërë për rehabilitimin e qendrave shëndetësore.
Në Tiranë veç pikës së re “Kodra e Diellit do të shtohen edhe dy pika të tjera të ambulancave në Lana-Bregas dhe në zonën e Astirit.